BOTA, 17 Janar 2026, 09:07

Luftë, diplomaci apo rebelim? Skenarët për të ardhmen e Iranit pas kërcënimeve të Trump

Luftë, diplomaci apo rebelim? Skenarët për të ardhmen e

Pas një jave të protestave më të mëdha mbarëkombëtare të viteve të fundit, rrugët e Iranit janë zhytur në heshtje. Jo sepse është shuar zemërimi i akumuluar i popullit iranian, por për shkak të represionit.

Një banor i Teheranit, duke folur për mediat perëndimore, e krahasoi klimën me ditët e Noruzit, Vitit të Ri iranian, kur qyteti zbrazet dhe dyqanet mbyllen herët. Vetëm se tani nuk ka asnjë gjurmë feste. Vetëm një heshtje shqetësuese. Jeta e përditshme vazhdon nën hijen e një represioni të përgjakshëm dhe me mundësinë e një përballjeje të re ushtarake me Shtetet e Bashkuara që mbetet pezull.

Muajin e ardhshëm, Republika Islamike shënon 47-vjetorin e revolucionit që e solli në pushtet. Do të ngrihen tribuna, do të dëgjohen këngë revolucionare dhe do të shfaqen turma të organizuara. Por në korridoret e pushtetit në Teheran, atmosfera nuk do të jetë aspak festive. Regjimi përballet me kërcënimin më serioz për mbijetesën e tij.

Mund të ketë shtypur valën e fundit të protestave me metodat e njohura, por shkaqet e thella që nxorën njerëzit në rrugë mbeten të pranishme në shoqëri.

Si u arrit deri këtu?

E enjtja dhe e premtja e kaluar tashmë regjistrohen si momente kyçe në historinë moderne të Iranit.

Protestat ekonomike në pazaret e Teheranit u shndërruan papritur në një sfidë të hapur ndaj regjimit. Demonstrues në mbarë vendin brohoritën “vdekje diktatorit”, kërkuan rrëzimin e Republikës Islamike dhe për herë të parë me kaq intensitet, disa folën madje edhe për rikthimin e Reza Pahlavit, djalit të Shahut të fundit.

Ashpërsia e reagimit tregon një regjim të plagosur nga lufta e verës së kaluar me Izraelin dhe SHBA-në, të dobësuar në nivel rajonal dhe pa asnjë gatishmëri për kompromis. Bllokada digjitale e paprecedentë e izoloi vendin nga bota e jashtme.

Shkalla reale e represionit mbetet e paqartë. Mbi 2.400 të vdekur janë regjistruar, ndërsa përmasat e vërteta të kësaj “njolle” të re gjaku mbeten të panjohura, ndoshta për momentin, ndoshta përgjithmonë.

Gjatë javëve të fundit, presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar disa herë me sulme, nëse Teherani do të vazhdonte dhunën. Të enjten, megjithatë, ai la të kuptohej se vrasjet kanë ndalur, duke hapur një dritare për deeskalim.

Njëkohësisht, vendet e Gjirit ushtruan presion të fortë për shmangien e një konflikti ushtarak, duke paralajmëruar pasoja serioze për sigurinë dhe ekonominë e rajonit. Për momentin, diplomacia duket se po dëgjohet më fort se daullet e luftës.

Megjithatë, kërcënimi nuk është zhdukur. Lëvizjet ushtarake amerikane në rajon kujtojnë se opsioni i një goditjeje mbetet mbi tryezë.

Nëse Uashingtoni dhe Teherani kthehen në bisedime, Irani do ta bëjë këtë nga pozicioni më i pafavorshëm i mundshëm. Bombardimet amerikane kanë shkaktuar dëme serioze në instalimet kryesore bërthamore të vendit. Aleatët e tij rajonalë janë neutralizuar në masë të madhe.

Irani ende disponon rezerva të uraniumit të pasuruar në nivele të larta. Por goditja është njëkohësisht materiale dhe simbolike. Në një negociatë të re, pala amerikane pritet të ndjekë një vijë të ashpër, duke zgjeruar axhendën edhe te raketat dhe organizatat e armatosura që mbështet Teherani.

Këtu qëndron edhe kufiri. Për establishmentin iranian, këto çështje konsiderohen të panegociueshme. Çdo tërheqje do të barazohej me kapitullim politik. Pavarësisht goditjeve, regjimi ka treguar rezistencë të konsiderueshme ndaj presioneve të koordinuara dhe shumëplanëshe, dhe një marrëveshje në këtë kuadër edhe me “pistoletën” amerikane mbi tryezën e negociatave, mbetet më shumë në sferën e së pamundurës.

Kryengritja e fundit nxori në pah diçka më të thellë. Kontrata shoqërore mes shtetit dhe shoqërisë është thyer përfundimisht. Regjimi dështoi të ofrojë siguri, mirëqenie dhe liri. Dhe tregoi sërish se është i gatshëm të vrasë për të mbijetuar.

Për shumë iranianë, asgjë më pak se një ndryshim rrënjësor nuk mjafton. Problemi është se opozita e organizuar e brendshme është shkatërruar prej vitesh nga mekanizmi i Ali Khameneit. Çdo tranzicion, nëse ndodh, ka më shumë gjasa të vijë nga çarje brenda vetë sistemit të pushtetit, jo nga krahu reformist i dobësuar.

Edhe jashtë kufijve, panorama mbetet po aq e paqartë. Forcat opozitare në mërgim janë të fragmentuara. Reza Pahlavi rishfaqet si një simbol i mundshëm, por mbetet figurë përçarëse, pa një plan të qartë ndryshimi që të mos mbështetet në ndërhyrje të huaj.

Pasiguria rëndon mbi shoqërinë. Bashkë me të, edhe frika se një kolaps i regjimit mund të çojë në shpërbërjen e vendit, në një shoqëri me tensione të forta etnike dhe rajonale.

Më e mundshmja është që protestat të rikthehen. Ashtu si në vitin 1979, ndryshimi – nëse vjen – nuk do të jetë i menjëhershëm, por rezultat i një konsumimi të gjatë. Vija tashmë është kaluar. Pika pa kthim mund të jetë arritur.