BOTA, 16 Janar 2026, 20:51

Ligjvënës amerikanë vizitojnë Danimarkën për të ulur tensionet mbi Groenlandën

Ligjvënës amerikanë vizitojnë Danimarkën për

Një delegacion dypartiak i Kongresit të SHBA-së vizitoi sot Danimarkën për të shprehur mbështetje ndaj Kopenhagenës  dhe Groenlandës, në një moment kur presidenti Donald Trump po rrit presionin për aneksimin e ishullit arktik.

Vizita synoi të dëgjojë shqetësimet lokale dhe t’i përcjellë ato në Uashington, me qëllim uljen e tensioneve, sipas BBC.

Delegacioni prej 11 anëtarësh u takua me kryeministren daneze Mette Frederiksen dhe kryeministrin e Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen. Senatori Chris Coons tha se qëllimi ishte “të ulet temperatura” përmes dialogut dhe të kuptohet pozicioni i vendeve të përfshira.

Presidenti Trump ka deklaruar se Groenlanda është jetike për sigurinë e SHBA-së dhe se ajo mund të merret “lehtë” ose “vështirë”, duke përmendur ide për blerje ose përdorim force. Danimarka dhe Groenlanda e kanë refuzuar kategorikisht çdo ide të tillë, duke theksuar sovranitetin e tyre.

Megjithëse Groenlanda ka popullsi të vogël, ajo është e pasur me burime natyrore dhe ka rëndësi strategjike për mbrojtjen, veçanërisht për sistemet e paralajmërimit të hershëm dhe kontrollin e lëvizjeve në Arktik. SHB-ja  tashmë operon bazën ushtarake “Pituffik” dhe ka të drejtë të rrisë praninë ushtarake sipas marrëveshjeve ekzistuese.

Trump, megjithatë, ka këmbëngulur se SHBA-ja duhet ta zotërojë Groenlandën për ta mbrojtur nga kërcënime të mundshme ruse apo kineze. Danimarka ka paralajmëruar se një veprim i tillë do të minonte NATO-n, pasi aleanca nuk ka parashikuar kurrë përdorimin e forcës nga një anëtar kundër një tjetri.

Vendet evropiane janë rreshtuar në mbështetje të Danimarkës, duke theksuar se siguria e Arktikut është përgjegjësi e përbashkët e NATO-s. Disa prej tyre kanë dërguar trupa në Groenlandë për një mision të kufizuar zbulimi, ndërsa Franca ka njoftuar dërgimin e mjeteve tokësore, ajrore dhe detare.

Në SHBA, disa ligjvënës po përpiqen të bllokojnë aneksimin përmes projektligjeve, duke përmendur rolin e Kongresit në miratimin e fondeve ushtarake.