BLOG, 23 Nëntor 2021, 10:25

Zbardhet dosja sekrete e Sigurimit: “Xhaviti thotë se udhëheqja jonë bën jetë luksoze, me makina e vila në Durrës, kurse populli…”/ Historia tragjike e komunistit disident, që vuajti 32 vite burg!

Zbardhet dosja sekrete e Sigurimit: “Xhaviti thotë se udhëheqja

Nga Dashnor Kaloçi/

Publikohet dosja arkivore voluminoze të nxjerrë nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhen me qindra dokumente me siglën “Tepër sekret” që i përket ish-të dënuarit politik, Xhavit Qesja, me origjinë nga qyteti i Krujës, familja e të cilit gjatë periudhës së pushtimit të vendit, 1939-1944, u lidh ngushtë me Lëvizjen Antifashiste, duke qenë një ndër bazat kryesore të saj dhe vuri në dispozicion të gjithë pasurinë që kishte, pasi Xhaviti ishte një ndër anëtarët e parë të Partisë Komuniste Shqiptare për rrethin e Krujës, duke drejtuar batalionin partizan Krujë-Ishëm dhe Brigadën e 22 Sulmuese.

Karriera politike e Xhavit Qeses pas mbarimit të Luftës, ku ai u emërua dhe shërbeu në detyra të larta në Ushtrinë Shqiptare, aparatin e Komitetit Qendror të PPSh-së, e disa rrethe të vendit, nga ku u dërgua me studime në Bashkimin Sovjetik, ku qëndroi deri në vitin 1957, kur ai u njoftua që të kthehej urgjent në Shqipëri, pasi kishte shprehur hapur pikëpamjet e tij pro vijës politike që po ndiqte udhëheqësi kryesor i Kremlinit, Nikita Hrushov, për dënimin e kultit të Stalinit.

Biseda e Enver Hoxhës me Xhavit Qesen në zyrën e tij në Komitetin Qendror, ku ai e kritikoi ashpër për pikëpamjet e gabuara që ai kishte shfaqur gjatë periudhës së studimeve në Moskë, duke i bërë thirrje që të reflektonte dhe të bënte autokritikë, por Xhaviti e refuzoi sugjerimin e sekretarit të parë të Partisë së Punës së Shqipërisë, gjë e cila u bë shkak që ai të mos lejohej të shkonte më në Bashkimin Sovjetik për të përfunduar studimet, por të dërgohej me punë si nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit, nga ku një vit më vonë, do të përjashtohej nga radhët e Partisë, e do të internohej në Ishullin e Zvërnecit, ku regjimi komunist mbante të izoluar disa nga ish-kuadrot e lartë partiakë dhe shtetërorë, të cilët i kishte dënuar për pikëpamjet e tyre antiparti.

Kalvari dhe perkusioni i gjatë i Xhavit Qeses nga viti 1957 deri në 1990-ën, ku ai kaloi plot 32 vite në burgje dhe internime, duke qenë një nga të rrallët e dënuar të burgut të Burrelit që bëri greva të gjata urie në shenjë proteste për trajtimin dhe qëndrimin e egër që po mbante regjimi komunist i Enver Hoxhës ndaj tij.

Dosja e plotë formularë, hetimore dhe gjyqësore në ngarkim të Xhavit Qeses, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, ku ndodhen dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që pasqyrojnë ndjekjen dhe përgjimet ndaj tij, raportet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit me pseudonimet e tyre, korrespodenca me letrat që ai u dërgonte instancave të larta partiake dhe shtetërore, si dhe udhëheqësve më të lartë të PPSh-së, deri në vitin 1991 që u lirua nga burgu!

Vendimi i Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Qarkut të Elbasanit, për hapjen e dosjes 2/A, në ndjekje dhe survejimin e Xhavit Qeses, i miratuar nga nëndrejtori, major, Seri Qerimi

                                                                                                                              Tepër Sekret

                                                                                                                  Elbasan me 15/X1/1957

                                                              V E N D I M

                                            (Mbi hapjen e dosjes në II-A)

Me datën 25/9/1957 unë Punëtori Operativ, kapiten Avni Mehmeti, efektiv i Drejtorisë P. Brendshme Qarkut Elbasan, mbasi morra në ngarkim e studiova materialet paraprake të quajturit Xhavit Qeses, nga Kruja, me punë si N/Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të qarkut Elbasan.

Xhevit Qesja, i biri Hajdarit dhe i ditëlindjes 1920, lindur në Krujë dhe me banim n’Elbasan, me arsim të lartë, anëtar i Partisë së Punës të Shqipërisë, me kombësi dhe nënshtetësi shqiptare, i pa dënuar dhe gjykuar ndonjëherë nga pushteti tonë popullor, rrjedh nga një shtresë qytetare e pasur tregtare.

Qëndrimi i tij gjatë regjimit të zogut ka qenë i mirë dhe nuk ka pasur ndonjë marrëdhënie me klikat ose Partitë e atij regjimi, por është marrë me studime të shkollës dhe nuk i dihet të ketë treguar ndonjë aktivitet pro ose kundër këtij regjimi.

Ardhjen e okupacionit fashist ky nuk e ka pritur mirë dhe si i tillë merr pjesë në grupet e ndryshme revolucionare kundër okupatorit dhe tradhtarëve të vendit dhe me këtë mënyrë ai bëhet një njeri i vendosur për Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe merr pjesë aktive duke kontribuar deri në çlirimin e plotë të vendit nga okupatorët dhe tradhtarët e vendit tonë.

Në vitin 1942-43 është bërë anëtar partie dhe ka pësuar përgjegjësira të ndryshme në radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare; mbas çlirimit të vendit Xhaviti lirohet nga Ushtria dhe ngarkohet me funksione të ndryshme në parti, duke qenë për disa kohë në Komitetin Qendror dhe më vonë Sekretar i Komitetit të Partisë për ish- Qarkun e Beratit dhe prej këtu dërgohet në Shkollën e Lartë Marksiste në Bashkimin Sovjetik dhe mbasi këtu shfaqi pikëpamje anti-parti, u hoq dhe u dërgua me punë në vendin ku ndodhet edhe tani si N/Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Qarkut Elbasan.

Me daljen e grupit anti-parti në konferencën e Tiranës, Xhaviti shfaq pikëpamjet e tija anti-parti dhe revizioniste duke e quajtur të pa drejtë qëndrimin e partisë në lidhje me pikëpamjet e elementeve revizionistë të Konferencës së Tiranës. Këto i diskuton në shkollë edhe me shokët të tjerë të cilët e kritikojnë, por ky nuk heq dorë nga këto pikëpamje të tija.

Ai shkon akoma më thellë në këtë gabim, duke kritikuar qëndrimin e partisë tonë në lidhje me çështjen Jugosllave dhe Poloneze, duke thënë se partia jonë ka gabime në lidhje me këtë. Për të gjitha këto pikëpamje ai hiqet nga shkolla dhe thërritet nga Komiteti Qendror, ku i thuhet se ai ishte në kundërshtim me vijën e Partisë, por Xhaviti nuk tërhiqet përsëri nga këto pikëpamje, kështu që partia e dënon duke e hequr nga shkolla dhe e cakton me punë në Elbasan.

Kohët e fundit Xhaviti ka filluar të tregojë aktivitetet kundër Partisë, duke e quajtur masën e marrë karshi tij, si jo të drejtë dhe se në partinë tonë ka shtypje të kritikës dhe autokritikës, duke e lidhur se gjoja në partinë tonë nuk ka demokraci. Njerëzit që janë udhëheqës në Parti, thotë se nuk duanë të njohin gabimet që kanë në këtë drejtim d.m.th. mbi çështjen Jugosllave dhe atë Polake.

Ka thënë se kundër revolucionin në Hungari ka qenë i drejtë dhe nuk është e vërtetë se në këtë gjë ka pasur gisht Jugosllavia, por kjo ka ardhur për gabimet e bëra nga udhëheqja e partisë punëtore Hungareze. Ka folur se udhëheqja jonë bën jetë luksoze për veten e saj dhe nuk interesohet për jetën e popullit, ministrat kanë makina dhe vila të caktuara në Durrës për të kaluar pushimet e verës, ndërsa populli vuan për të gjetur një barake!

Marrëdhëniet tona me Jugosllavinë nuk përmirësohen mbasi udhëheqësit tonë nuk pranojnë gabimet e tyre. Në vendin tonë ka terror dhe shtypje të madhe më keq se në kohën e Koçit. Këtë e lidh me masat e marra kundër një seri elementesh armiq si për sh.: Tuk Jakovës, Bedri Spahiut e të tjerë. Gjithashtu dhe për dënimin e Dali Ndreut dhe të Liri Gegës, ky e quan këto se janë bërë kot dhe nuk është e vërtetë që ata të kenë lidhje me Jugosllavinë.

Ka folur me përbuzje kundër shokut Beqir Ballukut duke thënë se i është rritur mendja dhe nuk të shikon me sy fare me gjithë që kemi qenë shokë bashkë. Po kështu ka folur edhe për një seri shokësh të tjerë anëtar dhe kandidatë të K.Q.P.P. Shqipërisë. Duke parë të gjithë këtë aktivitet të tij anti parti dhe revizionistë që zhvillon i përmenduri në lëndë:

                                                      V E N D O S A

Të hap dosjen e tij formularë duke e kategorizuar në 2A për aktivitet anti-parti dhe revizionist, për ta përpunuar në mënyrën aktive, me qëllim që të zbulojmë dhe të vërtetojmë veprimtarinë e tij anti parti, si dhe rrethin e tij shoqëror se ku e shtrin këto aktivitet.

                                  PROPOZUESI

                             PUNËTORI OPERATIV

                             Kapit (Avni Mehmeti)

Raport-informacion i nënkolonelit të Sigurimit të Shtetit, Shim Kolli, lidhur me dëshmitë e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Skëndi”, për ndjekjen dhe survejimin që ai i ka bërë Xhavit Qeses

                                                                                                    Marrë nga Nën/kolonel Shim Kolli

                                                                                                       Dhënë nga B.p. “Skëndi”

                                                                                                                  Dt. 6.12.1957

                                                             R A P O R T

Ai takohet shpesh herë me Xhavit Qesen, por rrallë i ndodh që të jetë vetëm e të flasë pa teklif. Xhaviti studion vazhdimisht, qoftë materialet letrare, libra ideologjik dhe romane e në mënyrë të veçantë lexon “Pravdën”, të cilën e merr çdo numër. Nga “Pravda” komenton lajme për Jugosllavinë, sado të thjeshta që mund të jenë këto. Tema e preferuar e tij kur ndodhemi vetëm, është çështja e Jugosllavisë.

Në Jugosllavi ndërtohet me të vërtetë socializmi, pa burokraci e fjalë të mëdha, jugosllavët kanë gjetur mënyra të tilla për ndërtimin e socializmit, të cilat po i marrin si shembull dhe sovjetikët.

Jugosllavët bëjnë politikë të pavarur dhe pse ata nuk u nënshkruan Konsultën e Partive Komuniste të mbledhura me rastin e 40 vjetorit të Revolucionit Socialist të tetorit në Moskë, ndërsa tanët, (shoku Enver dhe shoku Mehmet, nënshkruajnë çdo gjë).

Që të kuptosh gjendjen në Jugosllavi, mjafton vetëm fakti që populli qëndron i lidhur me Partinë dhe qeverinë, megjithëse nga Stalini u tha se gjendja së shpejti do të ndryshojë dhe megjithëse të gjithë Demokracitë Popullore nuk lënë gjë pa thënë karshi udhëheqjes Jugosllave, në mënyrë të veçantë kundra Titos, sikurse Stalini, të thosh diçka kundra Enverit dhe Mehmetit, këta nuk do të qëndronin dot 24 orë në fuqi!

Këta tregojnë se udhëheqja jugosllave ka punuar drejt dhe mirë. “Mirë’ i tha ai, ‘po gabimet e jugosllavëve karshi vendit tonë, përse nuk i pranojnë? “Nuk është kështu’, ju përgjegj Xhaviti, ‘ne dimë vetëm ato që thuhen këtu, të cilat nuk dihen se sa të vërteta janë, ndërsa ato që thonë jugosllavët, ne nuk i dimë”.

“Në vendin tonë’, vazhdoi Xhaviti, ‘nuk ka gjë tjetër, veçse deklarata e fjalime, shprehje në formë parullash, gjithçka është bërë parulla. Tek ne nuk thuhet e vërteta, nuk thellohet dhe nuk i bëhet analiza ngjarjeve.

Ç’na duhet ne hidrocentrali “Enver”, me miliona leke shpenzime, apo për t’u dukur?! Ne kemi qenë në gjendje me motorët ekzistues të përballonim nevojat për energji elektrike”. Mirë i tha ai, por ndërtimet tona kanë aprovimin të shokëve dhe të teknikëve sovjetikë, që kanë një eksperiencë të gjatë, të mos ishte mirë, do të na këshillonin si të veprojmë. “Sovjetikët’, vazhdoi Xhaviti, ‘nuk thonë gjë, se nuk duan të marrin përgjegjësi përsipër”.

“Edhe ti’, ju drejtua atij, ‘ke gjëra që nuk të duken të drejta, por nuk flet dhe pse s’flet?! Nuk flet se ke frikë, se e pëson si Tuk Jakova dhe Bedri Spahiu. Njeriu duhet të flasë, duhet të jetë principial dhe duhet të ketë guxim.

Në një anë flasim se duam marrëdhënie të mira me Jugosllavinë, nga ana tjetër vrasin Liri Gegën dhe Dali Ndreun, si agjentë të një fuqie të huaj! Të kujt fuqie, nënkuptohet të Jugosllavisë. Çfarë bëri në fund të fundit, Daliu me Lirinë, mos vallë nuk kishin dhënë aq sa të mos ekzekutoheshin, mos vallë dha më shumë Ethem Çako, kriminel me damkë dhe që ju fal jeta. Këto janë gjëra që revoltojnë njërin.

Ai ishte në datën 7 nëntor në Tiranë, i ftuar nga atje të takohej e Xhevit Qesen dhe ky i ftoi të shkonin për një vizitë tek kunati i Ymer Veshit, tek i cili gjetën Ymerin, Xheviti me Ymerin kishin miqësi të ngushtë.

                                                                                         “Skëndi”

                                                                                                             Elbasan, më 6.12.1957

               (Nën/kolonel Shim Kolli)

                  Elbasan më 7.12.1957

Letër anonime dërguar Xhevit Qeses në Elbasan më 15 dhjetor 1957!

 Dërgon  (asht anonime)                                           Merr: Xhavit Qesja

Shkodër, me datën 15/XII/1957                               N/Kry. Kom. Ek. K.P. Qarkut     

                                                                                     Elbasan

Duke marrë me ju shkrua këtë letër të dashur, gëzoj dhe dëshiroj parimisht shëndetin tuaj dhe të gjithë familjes suaj, gjithashtu dhe neve jemi fare mirë me shëndet dhe me punë, si unë dhe e gjithë familja ime.

Tani ju pyes si jeni me shëndet? Po me punë si po e kaloni, apo lodheni shumë? Po familja si janë? A kemi vajtur andej nga Tirana tani s’shpejti për t’i parë se si janë? Sigurisht unë dua t’ju pyes për Meribanin, si ishte me shëndet? Dhe me punë si po e kalon? Fëmitë si janë me shëndet, sidomos për shpëtimin ju pyes për gjendjen e kohës si është? A po bën të ftohtë dhe si po mban koha për bujqësinë. Po me planet e shtetit si i keni  hallet, si industri, bujqësi, grumbullime etj.

Për vitin e ri kemi 1 ditë pushim, ndofta mund të sillem andej, por nuk ja u siguroj ardhjen time, me qenë se mvaret si mbas pasurisë (solto).

Tani me kaq e përfundoj me pak fjalë dhe më shumë mall si komunistë i sinqertë si jam. Ju bëj të fala si ty, Meribanit dhe fëmijëve, gjithashtu të fala ju bëj edhe nëna, vëllai dhe motra e vogël Katerina.

Presim përgjigje nga juve, si mbas mundësive si të keni.

Të fala keni edhe nga familja e Zef Franos, sidomos nga Zina.

Shënim: Kjo letër u kopjua për arsye se është anonime.

Vërtetohet njësia me origjinalin. /Memorie.al