BLOG, 21 Nëntor 2021, 13:04

Qimet e një kryeministri

Qimet e një kryeministri

Në shkrimin tim të fundit të muajit tetor kam përmendur psikologun francez Joseph Messinger, i cili, për njëzet e pesë vite rresht, ka studiuar gjuhën e trupit tek njeriu për t’i përmbledhur rezultet e arritura në një libër fort interesant me titullin “Ces gestes qui vous trahissent” (Këto gjeste që ju tradhtojnë). E kam pëmendur sepse, me ndihmën e kësaj kryevepre, jam përpjekur të shpjegoja një gjest tipik të kryeministrit tonë të përjetshëm në pushtet, i cili, herë pas here, sidomos në seancat plenare të Kuvendit tonë të stuhishëm, ngre dy a tri herë dorën, teksa flet, për të kruar kokën, gjest ky që shpreh ngurrim, mëdyshje dhe pavendosmëri, të paktën sipas psikologut në fjalë.

Të njëjtin gjest ai e përsëriti edhe në krye të kësaj jave po në seancën plenare të kuvendit tonë po aq, në mos më shumë, të stuhishëm, gjatë së cilës baballarët e mamallaret e kombit diskutuan rreth buxhetit të shtetit për vitin 2022. Vetëm se kësaj radhe dora e tij nuk u kënaq vetëm me një apo dy kruarje koke, ajo i zbriti dy a tri herë deri tek mjekra, çka madje më krijoi vagëllimthi përshtypjen se ajo kërkonte diçka midis qimeve. I pazoti për ta zbërthyer këtë gjest, mendja më shkoi, njësoj si në shkrimin tim të javës së kaluar, te “Fjalori frazeologjik i gjuhës shqipe” (Tiranë, 2010) të Jani Thomait. Oh, lehtësimi që ndjeva kur vura re se sa shumë shprehje frazeologjike figuronin në të lidhur me qimet e shqiptareve e të shqiptarëve, pra edhe lidhur me qimet e Edi Ramës. Kështu, teksa përleshej (oh, rrënja “lesh” e kësaj foljeje të kujton pikërisht qimet!) gojarisht me Lulzim Bashën, kryeministri ynë i përhershëm që gërmonte midis qimeve mjekrës së tij, i çonte, të të paktën sipas fjalorit të sapopërmendur, këtë mesazh kreut të opozitës: “S’më dridhet qimja!”, d.m.th. ‘nuk trembem fare, nuk tutem nga askush e nga asgjë, s’dua t’ia di’, shprehje kjo që të kujton togfjalëshin vulgar “As s’e rruaj fare!” (Sigurisht mjekrën, aspak ndonjë pjesë tjetër të trupit). Një mesazh tjetër në drejtim të Lulzim Bashës është togfjalëshi “qime e gjallë” në kuptimin ‘tinëzar i madh, ai që të dëmton pa u ndier fare’, sepse i tillë u tregua Edi Rama qysh në kohën e Çadrës së demokratëve me Lulzim Bashën, kryetar i Partisë Demokratike, por sot i kundërshtuar nga Sali Berisha, themeluesi e  prijësi historik i kësaj partie.

Të prekurit e qimeve vetjake publikisht, ndonëse në mënyrë të pavetëdijshme, nga Edi Rama faqe zotërinjve deputetë e sidomos faqe zonjave deputete, dëshmon gjithsesi nga ana e tij njëfarë prirje ekzibicioniste, për të cilën nuk do të jap asnjë hollësi, por lexuesi e sidomos lexuesja e këtyre radhëve janë të lutur të konsultojnë ndonjë fjalor mjekësie lidhur me këtë term ose, më saktë, ndonjë psikiatër me përvojë.

Nga ana tjetër, ky veprim kryeministror më kujtoi Nastradinin, të cilin, tek udhëtonte një ditë majë gomarit të vet, e ndaloi një i panjohur për t’i drejtuar pyetjen e mëposhtme: “Hoxhë efendi, ti që di gjithçka, a mund të më thuash sa qime ka tamam ky gomari yt?”. Nastradini u mendua një hop, buzëqeshi dhe u përgjigj: “Dy milionë e treqind e katërmijë e shtatëqind e pesëdhjetë e nëntë qime!”. Tjetri shqeu sytë dhe ia ktheu: “Jo, nuk ma ha mendja të ketë aq sa thua ti!”. Aty për aty Nastradini ia priti: “Atëherë numëroji vetë dhe ke për të parë!”.

Morali i kësaj historie është që zotërinjtë deputetë, sado kureshtarë qofshin, dhe veçanërisht zonjat deputete, sado biramele qofshin (sidomos ato të shumicës parlamentare) nuk duhet  kurrsesi ta pyesin kreun e qeverisë (me “q” kjo fjalë, aspak me ndonjë germë tjetër në vend të saj) sa qime ka mjekra e tij, sepse, me shumë gjasë, ai, si frekuentues i dikurshëm i plazheve për nudistë, do t’u thotë: “Ejani e m’i numëroni jo vetëm  ato të mjekrës, por edhe simotrat e tyre kudo qofshin në trupin tim!”./Panorama/