BLOG, 23 Shtator 2022, 08:56

“Roja shkruante çdo javë nga 10 letra për Enverin, ku thoshte se në naftë…”/ Historia tragjike e 1975-ës, diktatori dënoi me pushkatim e internim specialistët më të mirë të vendit!

“Roja shkruante çdo javë nga 10 letra për Enverin, ku

Memorie.al/Historia tragjike e vitit 1975, ku Enver Hoxha në mënyrën më barbare, goditi sektorin e naftës, duke dënuar me pushkatim, burg e internim, specialistët më të mirë të vendit!-

Grupi armiqësor i naftës” në vitin 1975

Ishte viti 1972, koha e “grupeve armiqësore” në sektorin e naftës. Më pas ai do të shikonte me sytë e tij dramën e ndodhur në vitin 1975, ku fill pas kësaj, do t’i vinte edhe atij radha. Për fat, ai vetëm sa dërgohet në sektorin e largët të Qafës së Kashit, nëpër puset e largëta të Hekalit e Romsit. U përjashtua nga partia dhe u cilësua si “anëtar i grupit armiqësor të naftës”. Por jo i cilësuar për krime aq të rënda. Si sekretar i përgjithshëm i naftës në rrethin, nga ku dilnin “armiqtë e pushtetit”, Vangjushi edhe sot pranon se ai do të merrte plumbin, por e shpëtoi Haki Toska, me të cilin ai kishte një miqësi të hershme familjare.

Inxhinieri që punoi për gjysmëshekulli në sektorin e vështirë të naftës, tregon se e gjithë ajo rrëmujë politike, mban ende edhe sot e kësaj dite një mister, për barbarizmin që tregoi Partia e Punës për inxhinierët e talentuar dhe punëtorët në atë sektor të vështirë, për denigrimin që u bëri ajo bijve të saj më të mirë, deri në eliminimin fizik të tyre…!

Zoti Kokonozi, parë nga këndvështrimi juaj, pse gjithë ajo egërsi për atë plejadë inxhinierësh dhe specialistësh të lartë dhe të mirë arsimuar në universitetet e huaja?

Edhe pse kanë kaluar mbi 30 vjet dhe kemi kaluar sisteme të ndryshme politike, ende pyes veten time: Pse gjithë ajo egërsi e Partisë së Punës për njerëzit e saj? Them kështu pasi më shumë se 80 % e punonjësve në sektorin e naftës, ishte tërësisht e majtë, me teserë dhe bindje politike, pasi punonjësit e këtij sektori jetik në atë kohë, kalonin në “sitën” e Komitetit Qendror të PPSH-së.

Ushtria, inxhinierët e naftës, agronomët dhe mësuesit, kanë qenë ushtarët e PPSh-së dhe provën e kishin kaluar në biografinë e dokumentacionit për shkollën e lartë. Mbase jam i gabuar, por unë kam nxjerrë një përfundim: përveç natyrës së egër që kishte qeveria dhe aparatçikët e kohës, ishte një periudhë mediokre, kur fati, qoftë edhe i një specialisti të talentuar, mbetej në dorën e një aparati që luante rolin e “Shtrigave të Salemit”.

Atje ku kishte kundërshti mendimesh dhe oponencash, atje ku nuk realizohej plani i prodhimit, duhej të kishte patjetër sabotatorë. Kishte njerëz që influenconin jashtëzakonisht shumë në Komitetin Qendror, vetëm nga letrat anonime që bënin, ku përshkruanin “sabotimet” në fushën e naftës ose të gazit. I afti dhe punëtori nuk kishte vlerë. Jo rastësisht drama e 1975-ës lindi në qytetin e naftës, në atë të Patosit, i cili në atë kohë ishte qyteti i intelektualëve. Mirëpo ajo ishte thjesht një shportë karavidhesh…!

Në atë kohë në sektorin e naftës ishin dy rryma të kundërta, të cilat u përplasën në pikëpamje teknike dhe që çuditërisht mori edhe ngjyrimin e përplasjes politike. Komiteti Qendror i PPSH-së, eliminoi njërin krah dhe pas tre vjetësh, eliminoi edhe krahun kundërshtar, atë të Kadri Ramës, që ishte kundërshtar i “grupit armiqësor” të naftës më 1975-ën, i kryesuar nga Lipe Nashi.

Ky ishte edhe paradoksi. Në atë kohë të turbullt, nuk kuptohej kurrë se cili ishte njeri i mirë dhe cili i keq, pra shkaktari i shumë tragjedive! Sepse që kishte njerëz të këqij dhe në atë kohë nuk diskutohej. Në ambientin punëtor ishte shumë më ndryshe. Kur dikush, përfaqësues i Komitetit Qendror i PPSH-së sillte mes tyre “për edukim”, ndonjë inxhinier të dënuar, ata ditët e para e shihnin me egërsi, por kur të njihnin mirë në frontin e punës, atëherë linin kokën për filan inxhinier dhe i bënin kushedi sa herë pyetje vetes: “Pse partia e ka dënuar këtë shpirt njeriu…”?!

Po ju, u goditët apo pësuat gjë në atë kohë?

Po, edhe unë atëherë pas vitit 1975 shkova në Qafën e Kashit, mes “gjirit të klasës punëtore” si një inxhinier i dënuar. Pasi jo të gjithë u burgosën, u internuan apo edhe më keq u pushkatuan. Kishte dhe shumë të tjerë që patën më shumë fat, si puna ime. Mua, nga sekretar i ekonomisë në Komitetin e Partisë të rrethit Fier, më dërguan si inxhinier i thjeshtë në Kash, rreth 3 km. larg Ballshit, pasi më mbajtën më shumë se 2 javë rresht në hetuesi, ku nuk pranova fajësinë time.

Si shpëtuat pa u dënuar me burg…?!

Nuk e kuptoj as vetë si shpëtova! Çudirat ishin shumë të mëdha. Kashi, 20 vjet rresht ishte “lule”, pas tmerrit dhe shokut traumatik që pësova unë dhe të tjerët. Pas çdo mëngjesi pyesje veten: A do të më thërrasin sërish në hetuesi dhe të pranoj një faj që se kam bërë? “Sabotim”, “armik i Partisë dhe popullit”, “tradhtar”, ishin fjalët që lëshoheshin pa dorashka në atë kohë nga aparatçikët e Komitetit Qendror të PPSh-së

Çudira kishte shumë. E para, kishte filluar analiza e parë, u bë mbledhja e Byrosë Politike të PPSH-së. Unë rastësisht, kur mbaroi mbledhja e Byrosë Politike, isha në Tiranë në Komitetin Qendror, ku po doja të takoja një instruktor, (njeri shumë i mirë dhe i ndershëm), me të cilin kisha njohje dhe po prisja përfundimin e mbledhjes. Kur mbaroi mbledhja, që zgjati me orë të tëra, për veprimtarinë në sektorin e naftës, instruktori erdhi dhe më puthi e më tha: “Mbaroi kjo punë, shpëtuam të gjithë”!

Deri atëherë ishin bërë 3-4 aktive, në Patos, Fier, e Tiranë. Sipas instruktorit, Enver Hoxha i kishte thënë në mbledhje Koço Theodhosit: “Për këto që kanë ndodhur, ata që punojnë në Komitetin e Partisë të rrethit, minimalisht duhet të përjashtohen nga partia, por të mos i krijojmë partisë një traumë të re, pasi boll na krijuan këta të Ushtrisë”. (Bëhej fjalë për “Grupin armiqësor të ushtrisë”.) Prandaj unë them, ta mbyllim këtë punë me një vërejtje të rëndë gjithë juve përgjegjësve të sektorit të naftës. Ti Koço, shlyeja Partisë këtej e tutje, me punën tënde”.

Kështu menduam se u mbyll mbledhja e Byrosë, pas shumë analizave që ishin bërë deri atëherë. Ishte dhjetori i vitit 1974. Ndërkohë në Institutin e Naftës në Patos, ishin bërë disa mbledhje të përgjithshme dhe përfundimet e këtyre mbledhjeve kishin vajtur në Komitetin Qendror të PPSH-së. Madje, Avdyl Këllezi, kishte bërë një raport shumë negativ, ku shkruante se gjendja në naftë ishte shumë e vështirë, bëhej punë armiqësore, në Institut punonin vetëm armiq, ndaj duhej bërë një analizë e përgjithshme. Por fatmirësisht edhe mbledhja e Byrosë Politike u mbyll mirë. Por këtu nis çudia.

Një mediokër, një i çmendur nga Patosi, me origjinë himarjote, teknik i mesëm, që nuk bënte asgjë veç shkruante letra në Komitetin Qendror, i shkruan një letër Enver Hoxhës. Ai ishte dezhurn, roje nate, dispeçer dhe si profesion, dispeçerët mbajnë shënim. Ngaqë nuk kishte punë ai, rrinte pranë sobës dhe i shkruante letra Komitetit Qendror. Nga 10 letra dërgonte në javë dhe i bënte në 3 kopje. Një Komitetit Qendror, një Ministrisë së Brendshme dhe një kryeministrit.

Çfarë shkruante në ato letra që dërgonte udhëheqjes së lartë?!

Ai shkruante në letër se, në naftë në Patos, kishte një çorganizim të organizuar dhe mbaj mend atëherë se, u kap pas një elementi që në atë periudhë të pavolitshme, i shërbeu atij. Lipe Nashi, Drejtor i përgjithshme i Naftës, që ishte një njeri i zoti, tepër korrekt dhe punëtor, vendosi në relacionin që i dërgonte Komitetit Qendror të PPSH-së për realizimin e planit, 200.000 tonë, që në të vërtetë nuk mund të realizohej, edhe nëse të gjitha puset ishin prodhimtarë.

Kjo ishte për puset e naftës në Sarandë. Saranda doli keq, sepse puset jepnin vetëm gaz dhe jo naftë, dhe kjo u cilësua sabotim shumë i madh. E vërteta ishte që kjo i shërbeu ngatërrestarit të letrës anonime dhe nuk e kuptoj ende se pse Enveri e cilësoi sabotim shumë të madh.

Çfarë ndodhi pas këtyre letrave që dërgoi ai dispeçeri?

Enveri rihapi “dosjen” e sektorit të naftës. I pa moralshmi i letrës, bënte garë me një kolegun e tij në Vlorë, se kush do t’i dërgonte me shumë letra Komitetit Qendror të PPSH-së. Ta mallkoj atë njeri tashmë, nuk ia vlen, por ai mori më qafë dhjetëra e dhjetëra njerëz të shkëlqyer.

Konkretisht çfarë ndodhi dhe kush e pësoi prej tij?

Enver Hoxha mblodhi sërish Byronë Politike dhe e cilësoi si një veprim armiqësor tepër të sofistikuar, prej nga ku do të merreshin masa në mbledhjen e qeverisë. Mbledhja e përgjithshme me përfaqësues të qeverisë, u zhvillua më 6 shkurt 1975. Unë isha vetëm, Piro Gushoja kishte shkuar në Pukë për një problem familjar. Instruktori i K.Q. të PPSH-së, më porositi që t’u thosha inxhinierëve përgjegjës që, të merrnin përsipër gabimin, por me masë që të mos cilësohej si faj apo sabotim.

Ua thatë inxhinierëve, porosinë e instruktorit të Komitetit Qendror?

Vajta menjëherë dhe i porosita, edhe Lipen, edhe Beqir Alinë dhe Myzafer Trebeshinën. Në pritje të kësaj mbledhjeje, ku kish ardhur Mehmet Shehu, mua më informonte sekretari i Mehmetit, Kiço Kasapi, ish-nëndrejtor i përgjithshëm i Naftës në Kuçovë, burrë shumë i mirë, sekretar i përgjithshme i Kryeministrisë. Deri nga dreka mbledhja shkoi mirë, me kritika të ashpra, por gjithsesi mirë.

Nga ora 12:00 mbledhja u ndërpre dhe Mehmet Shehu shkoi te Enver Hoxha. Kur rifilloi mbledhja, më marrin në telefon dhe më thonë se mbledhja është kthyer në gjyq. Shkova me një frymë. Mehmeti i tha shprehimisht Lipe Nashit: “Dëgjo këtu Lipe, kur ke shkuar në Kinë, ke bërë një udhëtim me tren nëpërmjet Moskës, jo drejtpërdrejt. Në tren je takuar me një shok të Shkollës së Partisë që ishte në nivelet e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Nuk them se çfarë keni thënë me njëri-tjetrin, por ky detaj tregon diçka, se ti ke të bësh me agjenturën ruse”!

Beqir Alisë i tha: “Për ty Beqir nuk kam ndonjë fakt konkret, por e vërteta është që ti ke pasur grua ruse, djemtë i ke në Moskë dhe gruaja juaj ruse është agjente e KGB-së, ajo mban ende mbiemrin tënd edhe pas divorcit. Unë nuk kam kompetencë t’ju shkarkoj, por ju pezulloj nga detyra”. Myzaferit i tha diçka që tani tingëllon qesharake: “Për ty Myzafer, nuk kam ç’të them, ti me fekalet merresh, nuk merresh me punët e naftës”! (Myzaferi ishte kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Fierit).

Si reaguan ata pas atyre akuzave aq të rënda që po u bëheshin nga kryeministri Mehmet Shehu?

Asnjë s’foli, ata shtangën dhe kishin mbetur si të ngrirë. Unë jam befasuar kur kam dëgjuar ato fjalë. Nga Fieri, mbledhja po bëhej në Patos. I dërgova një radiogram Pirro Gushos dhe i them të vinte urgjent në Fier. Ai ishte nisur nga Puka me gjithë Mihal Bishën (drejtor i Drejtorisë së Kuadrit në Komitetin Qendror të PPSh-së). Pirro e nuhati që situata ishte shumë e rëndë, ndërsa Mihali na këshilloi që të qetësoheshim dhe ta merrnim qetësisht.

Vendosëm që unë të lidhesha me Komitetin Qendror të PPSH-së dhe konkretisht Haki Toskën (sekretar i K.Q., që mbulonte ekonominë, nga i cili varesha direkt), ndërsa Pirro Gusho, të lidhej me Hysni Kapon. Pirroja e provoi dhe telefonoi në numrin e shtëpisë, por Hysni Kapo e ngriti telefonin dhe ia mbylli menjëherë.

Çfarë bëri Pirro pas kësaj?

Pirro erdhi tek unë i verdhë dyllë, nga ku kuptova saktësisht se gjendja ishte shumë e rëndë. Pastaj, pas vendimit që mori Mehmet Shehu, për pezullimin e tyre nga puna, u zhvillua aktivi në Patos. Ne u përgatitëm për këtë aktiv, ku u dyndën instruktorët e K.Q. të PPSH-së. Në krye ishte Nimet Cani. Ai më kërkoi mua një listë të “atyre që do të jepnin llogari”.

Ua dhatë atë listë që u kërkoi ai?

Të them të drejtën, nuk e vlerësova, ose nuk e konceptoja dot se do të vinte puna në arrestim, por si gjithnjë në mbledhje të stërzgjatura, me kritika të ashpra dhe me vendime për vërejtje të rëndë. I porosita ata të tre: Lipen, Myzaferin dhe Beqirin, që të mendoheshin dhe të sillnin emrat e inxhinierët përgjegjës, për mos realizim të planit të naftës. Të nesërmen më thonë nga Komiteti Qendror i PPSH-së se, ata listën e kishin gati dhe kjo listë do të paraqitej në aktiv. Shikoj unë listën: në krye Lipja dhe 50-60 veta, të gjithë inxhinierë. Pyes njërin prej instruktorëve të Komitetit Qendror: “Me kë biseduat që bëtë gati këtë listë”?!

Ai më tha: “Ashtu janë punët, kemi biseduar dhe me Drejtorinë e Sigurimit të Shtetit të sektorit të naftës në Fier”. Atë çast e kuptova se, ata çdo gjë e kishin përgatitur “lart” dhe mendimi ynë, as që merrej parasysh. Kishte vënë dorë Sigurimi i Shtetit.

Tre a katër ditë para aktivit, erdhi Adil Çarçani. E vura në dijeni për listën dhe i’a tregova. Më tha shprehimisht kështu: “Ore, keni shkalluar ju të gjithë?! Pse, ore, gjithë naftën do të fusim në burg ne”?! Ngriva. Atëherë e mora vesh se ajo fjala që më gënjyen, duke më thënë: “do të jepnin llogari”, ishte ekuivalente me burgun. Mbaj mend se më tha shprehimisht kështu: “Pirroja nuk është mirë me shëndet dhe ti do të merresh me organizmin e këtij aktivi. Është shumë i rëndësishëm. Atje do të ketë arrestime. Arrestime do të ketë edhe në sallë. Por ne kemi eksperiencë nga ai aktivi i Durrësit dhe atje u binte të fikët njerëzve në sallë. Thirrjet e forta: tradhtarë, sabotatorë, ndikonin negativisht në shëndetin e atyre që akuzoheshin. Kështu, – më tha Adili, – do të sjellësh dhe mjekë, përveç kësaj do të incizohen”. Memorie.al