TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Departamenti Amerikan i Drejtësisë, nën urdhrat e Prokurorit të Përgjithshëm Merrick Garland, po heton verpimtarinë e ish-presidentit republikan Donald Trump në ditët e tensionuara midis zgjedhjeve presidenciale, të cilat sollën humbjen e tij përballë kandidatit demokrat Joe Biden më 3 nëntor 2020, dhe sulmit nga militantët e tij ndaj Kongresit më 6 janar 2021.
Zbulimet e bujshme që zënë vazhdimisht faqet e para të gazetave më të mëdha amerikane “New York Times” dhe “Washington Post”, tregojnë se si zyrtarët e Departamentit,
të mbështetur nga agjentët e FBI-së, do të marrin në pyetje dëshmitarët përpara një Jurie të Madhe, jurisë popullore që në Shtetet e Bashkuara vendos nëse do të gjykohen qytetarët.
Ekziston dyshimi se Trump, me bashkëpunëtorët e tij John Eastman dhe Rudolph Giuliani, ushtruan presion tek ish-zëvendëspresidenti Mike Pence, për ta bindur këtë të fundit t’i shpallte të paligjshme zgjedhjet presidenciale, pavarësisht mungesës së provave për ndonjë parregullsi.
Për më tepër, sipas burimeve brenda Ministrisë së Drejtësisë, një grup këshilltarësh Trumpianë identifikuan disa “votues të rremë”, të cilët në ditën e certifikimit të votimit, një traditë e lashtë politike në SHBA, kishin trazuar me mjeshtëri ujërat, duke iu kundërvënë përmes manipulimit komisionerëve zgjedhorë të vërtetë.
Plani ishte që përballë procesverbaleve false të kundërta me ato origjinale, Kongresi do të refuzonte rezultatet e zgjedhjeve, me mbështetjen e Mike Pence, duke e zhytur demokracinë e madhe në një grusht shteti. Sulmi i turmës ndaj Kongresit, me kërcënimin e varjes në litar për zëvendës/presidentin “tradhtar” nga ekstremistët nacionalistë, do të ofronte kontekstin e dhunshëm për fundin tragjik të demokracisë së themeluar në viti 1776.
Që kur komisioni hetimor i Kongresit, i drejtuar me mjeshtëri nga deputetja republikane Liz Cheney, vajza e ish-zëvendëspresidentit dhe idhullit të konservatorëve Dick Cheney, i tregoi vendit direkt nëpërmjet televizioneve se si sulmi mbi Kapitol nuk ishte një protestë spontane, por një kryengritje e udhëhequr nga njerëzit e presidentit, popullariteti i Trumpit ka filluar që të bjerë.
Partia e Vjetër e Madhe (GOP), siç quhet ndryshe Partia Republikane, është e avantazhuar në zgjedhjet e mesit të mandatit në nëntor, por “jo-ja” ndaj abortit nga ana e Gjykatës së Lartë, po mobilizon me shpejtësi kundërshtarët e këtij vendimi rreth demokratëve dhe presidentit Biden, që edhe pse mbetet jopopullor, po përpiqet të miratojë në Kongres ligjet sociale për shtresat sociale që janë më në vështirësi.
Aktakuza zyrtare ndaj Donald Trump do të ishte një dramë historike, një traumë në politikën amerikane e pakrahasueshme as me Watergate e Richard Nixon midis viteve 1972-1974, dhe as fajësimin (impeachment) e Bill Clinton në vitin 1998.
Departamenti i Drejtësisë e ka konsideruar gjithmonë Shtëpinë e Bardhë, selinë e pushtetit ekzekutiv, si jashtë fushëveprimit të vet, duke ia lënë në dorë votuesit, ose Kongresin, gjykimin e presidentëve. Falja që i bëri presidenti Ford Nixon-it, tërboi nga inati miliona amerikanë më 8 shtator 1974, por të paktën pengoi spektaklin e një udhëheqesi të vendosur në bankën e të pandehurve.
E majta radikale po nxit ministrin Garland të ketë një qasje më të ashpër, por ish-gjykatësi nuk ngutet: “Drejtësia nuk ka frikë, dhe nuk miklohet para asnjë figure shtetërore. Ne do të ndjekim penalisht cilindo që ka kryer krime më 6 janar, apo ka tentuar të manipulojë rezultatet e zgjedhjeve”- deklaron ai.
Barack Obama donte Garland në Gjykatën e Lartë. Por senatorët republikanë të udhëhequr nga kreu i shumicës në atë kohë Mitch McConnell e hodhën poshtë kandidaturën e tij. Tani fati e vendos Prokurorin e Përgjithshëm përballë një dileme vendimtare.
Nëse zbulohen prova që Donald Trump dhe avokatët e tij komplotuan për ta përmbysur rezultatin e zgjedhjeve pro Biden, Juria e Madhe mund të vendosë ndjekjen e tyre vetëm nën akuzën e diskreditimit të ligjit. Për një udhëheqës populist dhe me shumë ndjekës si Trump, ulja në bankën e të akuzuarve mund ta vendosë atë në rolin e një martiri.
Ndërkohë dalja e përditshme e dëshmive kundër tij, po e minon tashmë karizmën e tij.
Pence dhe Cheney po shpëtojnë fytyrën e republikanëve që nuk e mbështesin Trump, të cilët aspirojnë të garojnë në zgjedhjet e vitit 2024 me një kandidat tjetër. Por një padi gjyqësore për një ish-president nuk mund të jetë thjesht një “çështje gjyqësore”, ajo është gjithmonë dhe mbi të gjitha një çështje politike.
Amerika zbuloi se 1 vit e ca më parë ishte një hap larg grushtit të shtetit dhe po kërkon fajtorët, në një proces që do të jetë, pa asnjë mundësi shpëtimi, një test i ndërgjegjes së një demokracie. /abcnews.al