IDE, 10 Shtator 2021, 00:04

Berisha duhet të kishte zbritur me kohë nga treni

Berisha duhet të kishte zbritur me kohë nga treni

Sali Berisha është shembulli i politikanit që e huq stacionin e trenit dhe nuk zbret më nga treni në asnjë stacion! Kur nuk zbret, të zbresin. Janë rrëzuar nga treni edhe gjigantë të politikës. Më 22 dhjetor 1999 Angela Merkel shkroi një editorial në një gazetë gjermane, ku i bëri thirrje partisë të ndahet nga Helmut Kohli.

Nga Kohli që e kishte bashkuar Gjermaninë! Nga njëri prej personaliteteve më të rëndësishme të historisë bashkëkohore gjermane! Kohl nuk kishte pranuar të zbulojë emrat e disa donatorëve që kishin mbushur arkën e partisë me para. Kohl u hidhërua pas sulmit frontal nga Merkel! Por Merkel 6 vite më vonë, më 2005, u bë kancelare e Gjermanisë. “Partia duhet të mësohet të ecën vetë”, shkroi Merkel. – Shqipëria dhe Partia Demokratike duhet të ecin pa Berishën.

Do të duhej të ecnin pa të nga viti 2013. Ndoshta sot në pushtet do të ishte një PD tjetër, me figura të tjera. E ndoshta në opozitë do të ishte Partia Socialiste, e ndëshkuar meritueshëm për ndërtimin e një sistemi kleptokratik dhe oligarkik.

Tani punët janë ndryshe dhe Shqipërisë i duhet një rizgjim për të rilindur dhe demaskuar “rilindjen” e rrejshme! Meritat e Sali Berishës (për shembull anëtarësimi i Shqipërisë në NATO) sonte do të shkëlqenin më shumë nëse ai do t’i kishte zbritur trenit me kohë. /FB i autorit/