TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Nga Ermal Mulosmani
Ndër gjithë akuzat e Edi Ramës dhe pasuesve të tij, ndaj Lulzim Bashës, kjo e fundit me etiketime patetike prej nacionalisti si “tradhtar i kombit”, “mbledhës i fakteve kundër UÇK-së”, “konspiracionist i Shtëpisë së Verdhë” e të tilla si këto, kanë qenë më të pavërtetat, më spekulativet dhe më banalet.
Edi Rama e di shumë mirë që roli i një ndihmësi ligjor nuk ka të bëjë fare me atë të një Prokurori apo hetuesi. Roli i një përkthyesi në UNMIK-un e kohës së parë të lirisë së Kosovës ishte një rol krejt i parëndësishëm në vendimmarrje.
Edhe sikur Lulzim Basha të kishte gjithë vullnetin për të arrestuar shqiptarët e përfshirë në krimet e luftës, nuk kishte kurrfarë mundësie për t’a bërë. Ai ishte një rrogëtar, me rrogë të mirë mbase, që bënte punën funksionale që i kishin caktuar. Edhe mburrja që është marrë apo ka ndikuar në dosjet e Millosheviçit apo kriminelëve të tjerë serbë është po aq e pavërtetë. Jo se nuk donte Basha por se dilte përtej kompetencave të tij.
Nga të gjithë të dhënat që kanë dalë, çdo njeri i paanshëm, që do të krijojë një opinion, e ka fare të lehtë. Çfarë ka punuar Lulzim Basha? Ndihmës ligjor dhe përkthyes. Këtu mbaron diskutimi.
Lulzim Basha ka rol në arrestimin e Millosheviçit apo të ushtarëve të UÇK-së po aq sa ka përkthyesja e sotme e Gjykatës së Hagës në dënimin e tyre. Lulzimi i atëhershëm dhe përkthyesja e sotme e Gjykatës mund të mos kenë simpatinë e publikut por nuk po bëjnë asgjë tradhtare.
Televizioni Top Channel harroi pandeminë dhe vdekjet në këto ditë të vështira dhe shpërnguli në Krushë të Madhe e të Vogël gjithë departamentin e Informacionit. Edicionet informative ua kushtojnë përplot 10 min (nga 30 që ka edicioni) për të gjetur të dhëna “flagrante” (një ditë mendova se mund të kishin gjetur ndonjë video të Bashës duke vrarë shqiptarë, aq i madh ishte zelli propagandistik) që e implikojnë Lulzim Bashën në “tradhti”. Një kameraman i kohëve të vështira shpjegonte që, të njëjtën kasetë që ia ka dhënë BBC-së ia ka dorëzuar personalisht Lulzim Bashës. Në atë kasetë, sipas tij, dukeshin trupat e shqiptarëve të vrarë me nga një plumb në kokë, pamje tmerri të barbarisë serbe.
Këtu mbaron çdo diskutim. Nëse një kopje e këtyre filmimeve i është dorëzuar gazetarëve të BBC-së, këtu nuk ka më sekret. Nëse BBC ka transmetuar 2 minuta nga ato pamje (theksoj që 2 minuta është një kohë e jashtëzakonshme për një television çfarë ëstë BBC) atëherë, ajo kasetë e ka kryer misionin e saj. Këtu po flitet për një sekret publik ku asgjë nuk ka të bëjë më me ruajtje sekreti.
Deklarata e Kryeprokurorit Williamson duhej të ishte shteruese. Jo se nuk e dinim, por, marrë në konsideratë faktin që prokurorët e përmasave të tilla zakonisht nuk prononcohen në media, për asnjë arsye, mendoja se do të mbetej një hije dyshimi, një mister, një mjegullnajë.
Arsyeja kryesore pse këto akuza dolën tani është për të mbytur dështimin e Kryeministrit Rama në raport me Serbinë. Si sot 6 vjet më parë Edi Rama zgjodhi të shkojë në Beograd dhe tha atë që do të donte të dëgjonte çdo shqiptar në çdo cep të botës. Suksesi politik i asaj vizite përcaktoi në njëfarë mënyre edhe sjelljen e ardhshme të tij me Kosovën. Kur prek emocionet e një populli të vogël mundet të spekulosh me të shumë mirë më vonë.
Këtu edhe filloi dështimi i tij në raport me Serbinë.
Vuçiç nënqeshi hidhur kur dëgjoi përkthimin e asaj që tha Rama. Kuptoi që kishte të bënte me një aventurier politik. Që nga ai moment, zëdhënësi i Milosheviçit ndoqi strategjinë perfide të ushqimit të aventurierit me bashkëpunim, me tolerancë, me evropianizëm. I duheshin për protagonizëm fëmijënor. Nga ana tjetër, nën rrogoz po merrej me dosjet e luftëtarëve çlirimtarë.
Ditën punonte për Minishengenin rajonal (ndjesë Kryeministrit se i rri ngushtë), kërkonte edhe bashkëpunimin e Kosovës për këtë projekt, natën punonte për arrestimin e tyre. Petkun e evropianit ia kishte noterizuar modernisti ynë gjatosh. Si me magji akuzat publike për genocid serb po rralloheshin, dukej sikur paqja politike kishte mbërritur. Shqipëria do i vinte një nga portet e saj Serbisë, Presidenti serb do të lotonte në Durrës për viktimat e tërmetit…
Kur, fap, një ditë të bukur Presidenti serb deklaron:
“Nëse bisedimet me Kosovën do të ngecin nuk përjashtohet edhe një zgjidhje si ajo e Nagorni Karabakut”!
Ujku kishte dalë në lëkurën e tij. Ato ditë kishte një takim për Minishengenin me Kryeministrin yonë sharmant. Një takim që ky i yni nuk dinte ku ta çonte. Në fillim e deklaroi të shtyrë për të nesërmen për të krijuar mjegull. Por takimi online u mbajt. Zbythja e arrogantit tonë ishte e tmerrshme. Nuk kishte më deklarata për gazetarë, shfaqje për amatorizmin politik të udhëheqësve të Kosovës, tallje apo batuta. Askush nuk e di se çfarë u fol në atë takim, asnjë zhurmë asnjë fanfarë…
Aleksandri të mundi Edi. Fatkeqësisht për ne. Ai arriti të fusë në burg miqtë e tu udhëheqës të Kosovës dhe arriti të kërcënojë edhe lirinë e saj me akuza të përsëritura nën petkun e një modernisti minishengas dhe miku personal të Kryeministrit të Shqipërisë! Një petk që ia krijove ti këto 6 vjet.
Ky duhej të ishte fundi politik i Kryeministrit Rama. Një dështim i Madh! Mirëpo ai si i mbyturi që mbahet pas fijes së barit gjeti… Lulzim Bashën dhe punë e tij si përkthyes i UNMIK-ut. Mediat servile ia përhapën idenë dhe populli e hëngër.
E vërteta është shumë më tragjike sesa duket.
Sasha të mundi Edi…
/Gazetaexpress/