TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës bien ndesh me detyrimet themelore të vendit ndaj BE-së dhe janë të papranueshme.
Kësaj here, reagimi kundërshtues i Europianëve vjen me zërin e Komisioneres Europiane për Zgjerim, Marta Kos.
Ajo e dha deklaratën teksa ishte duke folur para takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së në Luksemburg, këtë fillim jave.
“Dua të jem e qartë se ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara në Kosovë bien ndesh me detyrimet themelore të Kosovës ndaj BE-së. Kjo është e papranueshme”, tha Kos.
Sipas Kos, ndryshimi i rregullave gjatë zhvillimit të një procesi gjyqësor bie ndesh me standardet ndërkombëtare të sundimit të ligjit dhe kjo cenon drejtpërdrejt rrugën integruese të Kosovës në BE.
Deklarata e Kos vjen pasi Kuvendi i Kosovës miratoi, javën e kaluar, vetëm pak minuta përpara zgjedhjes së presidentes së re, ndryshimet në ligjin për Gjykatën Speciale.
Ndryshimet u propozuan nga PDK pesë ditë pas vendimit dënues të 16 shtatorit për katër ish krerët e UÇK.
Ndryshimet ligjore synojnë të kufizojnë juridiksionin e Dhomave të Specializuara, duke ngushtuar periudhën kohore dhe kategoritë e veprave penale që ato mund të trajtojnë.
Ato parashohin edhe uljen e dënimit maksimal me burgim në 15 vjet, mundësinë e ankimimit në Gjykatën Supreme të Kosovës dhe vuajtjen e dënimeve në Kosovë.
Përpara deklaratës së Kos, menjëherë pas ndryshimeve reagoi Shërbimi Diplomatik i Bashkimit Europian, ku thuhej se Dhomat e Specializuara janë institucion i pavarur gjyqësor, i themeluar përmes vendimeve të Kuvendit të Kosovës në vitet 2014 dhe 2015, dhe se mandati dhe pavarësia e tyre duhet të respektohen plotësisht.
Shqetësime të ngjashme shprehu edhe Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë, duke theksuar se pavarësia e Dhomave të Specializuara nuk mund të cenohet, ndërsa Gjykata Speciale në Hagë doli shkurtimisht me një njoftim ku thuhej se askush nuk ishte konsultuar me ta për ndryshimet.
Në arsyetimin e saj vetë PDK propozuese, thotë se ndryshimet nuk shkelin asnjë detyrim ndërkombëtar të Kosovës.