TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Serbia mbetet pas në procesin e integrimit në BE, Brukseli përjashton Beogradin nga udhërrëfyesit e rinj
Serbia nuk do të përfshihet në udhërrëfyesit orientues për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ndryshe nga disa vende të tjera të rajonit dhe më gjerë, që kanë shënuar përparim në rrugën drejt integrimit evropian.
Komisioni Evropian pritet të publikojë në fund të tetorit udhërrëfyesit për Malin e Zi, Shqipërinë, Ukrainën dhe Moldavinë, si vende që kanë shënuar përparimin më të madh në procesin e anëtarësimit.
Ky zhvillim konfirmon zyrtarisht se Serbia ka humbur pozicionin që dikur mbante si një nga vendet prijëse në procesin e integrimit evropian.
“Serbia do të duhet të përmbushë më shumë kushte. Pas zgjedhjeve, do të shohim se sa serioze është Qeveria e saj, nëse vetëm do të flasë për dëshirën për t’u bërë anëtare e BE-së, apo edhe do të ndërmarrë hapa konkretë në këtë drejtim”, deklaroi komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos.
Për Strahinja Subotiçin, nga organizata joqeveritare Qendra për Politika Evropiane, me seli në Beograd, fakti që Serbia nuk do të përfitojë një udhërrëfyes përbën një paralajmërim serioz dhe dëshmi se vendi po ngec në procesin e integrimit evropian.
Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, ai thekson se bllokimi nuk pasqyrohet më vetëm në faktin se Serbia nuk ka hapur asnjë grupkapitull në negociatat e anëtarësimit prej vitesh, por edhe në pamundësinë për të përfituar nga fondet në kuadër të Planit të Rritjes.
“Tani, në thelb, po na dërgohet mesazhi se mund të humbasim edhe përfitime të shumta që lidhen me anëtarësimin gradual në BE”, thotë ai.
Udhërrëfyesit do të jenë pjesë e paketës së zgjerimit, të cilën Komisioni Evropian planifikon ta miratojë më 28 tetor.
Serbia nuk ka hapur asnjë grupkapitull në negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian që nga dhjetori i vitit 2021.
Ndërkohë, situata në fushën e sundimit të ligjit është përkeqësuar, duke i vështirësuar më tej përpjekjet e Serbisë për të dalë nga ngecja disavjeçare në procesin e integrimit evropian.
Sipas ekspertëve, me këtë qasje, Serbia rrezikon të mbetet në pozicionin aktual, në fund të radhës së vendeve që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian.