TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Komuniteti i Energjisë po krijon një Grup Koordinues për Naftën, një mekanizëm të ri që synon të forcojë koordinimin mes vendeve anëtare në rast krizash të furnizimit me naftë.
Grupi do të fokusohet te monitorimi i tregjeve, shkëmbimi më i shpejtë i të dhënave dhe identifikimi i dobësive në zinxhirin e furnizimit. Synimi është që vendet të kenë një reagim më të koordinuar kur tregu përballet me goditje.
Sipas materialit të Komunitetit të Energjisë, grupi do të krijojë gjithashtu një urë me Oil Coordination Group të Bashkimit Europian, duke afruar mekanizmat rajonalë me strukturat europiane të koordinimit.
Nisma vjen pas një viti të pazakontë për tregjet e naftës. Sipas Komunitetit të Energjisë, goditja e furnizimit në vitin 2026 ka qenë më e forta në më shumë se gjysmë shekulli, duke ekspozuar veçanërisht ekonomitë më të vogla të rajonit.
Raporti paraprak për tregun e naftës tregon se asnjë nga tetë tregjet e analizuara nuk ka arritur ende nivelin e plotë prej 90 ditësh rezervë emergjente. Për Shqipërinë, sistemi aktual parashikon 30 ditë rezerva fizike dhe 60 ditë rezerva kontraktuale, të mbajtura nga industria. Ndërkohë, gjatë vitit 2026 në Parlament ka mbërritur një projektligj për kalimin drejt një sistemi të drejtuar nga një agjenci shtetërore.
Rëndësia e koordinimit rajonal shihet edhe në rolin që vendet kanë luajtur gjatë ndërprerjeve të furnizimit. Sipas vlerësimit të raportit, Shqipëria siguroi rreth 50 deri në 60% të karburantit të Kosovës gjatë krizës së vitit 2026. Maqedonia e Veriut, ndërkohë, kishte rieksportuar rreth 330 mijë tonë drejt tregjeve fqinje në vitin 2024.
Sipas Sekretariatit, grupi i ri synon të krijojë një pamje më të përditësuar të ofertës dhe kërkesës në rajon, pasi statistikat zyrtare jo gjithmonë pasqyrojnë me shpejtësi ndryshimet në treg.
Në këtë mënyrë, vendet e Komunitetit të Energjisë synojnë të kalojnë nga reagimi i izoluar ndaj krizave drejt një sistemi më të koordinuar, me shkëmbim më të shpejtë informacioni dhe lidhje më të drejtpërdrejtë me mekanizmin europian.