TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, tha se zgjedhjet e shpallura për katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, janë të destinuara për të dështuar.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, caktoi 18 dhjetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç.
Kryetarët e këtyre komunave dhanë dorëheqje më 5 nëntor, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të nisur procesin e riregjistrimit të makinave me targa të paligjshme serbe.
Osmani tha se vendimi për shpalljen e zgjedhjeve është “detyrim kushtetues” që pason “aktin e dorëheqjes së katër kryetarëve të komunave”.
Sipas Petkoviçit, “kjo është një përpjekje e re e Prishtinës për të pushtuar” veriun e Kosovës, “duke u fshehur pas një lloj procesi zgjedhor”.
“Kjo është edhe një dëshmi se Prishtina asnjëherë nuk ka dashur bashkëpunim institucional me serbët e Kosovës, por, përkundrazi, është munduar të zbatojë dhe rrumbullakojë idenë e saj për Shqipërinë e madhe dhe t’i dëbojë serbët nga vatrat e tyre shekullore”, tha Petkoviç, duke mos ofruar asnjë provë që do t’i mbështeste këto pretendime.
“Zgjedhjet për komunat serbe, pa serbë dhe popullin serb, nuk kanë kuptim dhe si të tilla janë të destinuara për të dështuar”, tha Petkoviç përmes një komunikate për media.
Në një anketë që ka bërë Radio Evropa e Lirë me disa qytetarë në Mitrovicën e Veriut, më 11 nëntor, ata kanë thënë se nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Përveç kryetarëve të katër komunave, dorëheqje nga institucionet e Kosovës kanë dhënë edhe serbë të tjerë të veriut – nga niveli lokal deri në atë qendror.
Të mbështetur nga Beogradi zyrtar, ata kundërshtojnë planin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.
Me këtë plan parashihet që makinat me targa të tilla të riregjistrohen me targa RKS, apo Republika e Kosovës, deri më 21 prill të vitit të ardhshëm.
Serbia kundërshton, duke këmbëngulur në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.
Autoritetet e Kosovës kanë nisur zbatimin e planit më 1 nëntor, me gjithë thirrjet e komunitetit ndërkombëtar për ta shtyrë atë, për shkak të rrezikut të tensioneve.