BALLKAN, 15 Nëntor 2022, 12:39

Kryediplomati serb kërkon ndarjen e Kosovës mes Shqipërisë dhe Serbisë: Të dihet se çfarë është serbe e çfarë shqiptare

Kryediplomati serb kërkon ndarjen e Kosovës mes Shqipërisë

Tashmë që opsioni i ndarjes ose i shkëmbimit të territoreve është hedhur poshtë, Kryediplomati serb Ivica Daçiq po përpiqet ta kthejë në diskurs, duke kërkuar praktikisht zhdukjen e Kosovës, ose që ajo të ndahet ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë.

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, tha se Serbia në përgjithësi duhet të vazhdojë me metodat aktuale  jo të dhunshme në Kosovë, sepse ato janë “më vdekjeprurëset”, dhe se komuniteti ndërkombëtar është më i lënduar nga fakti se serbët nuk janë në institucionet e Kosovës. Daçiq, në një paraqitje në një televizion në Serbi tha se tani shtrohet pyetja nëse autoritetet e Prishtinës do t’i gjejnë disa nga serbët e “vet” për t’i futur në institucione, siç bëri Serbia me shqiptarët në vitet 1990, por ata njerëz nuk e patën, kanë dhe nuk do të kenë mbështetjen e popullit të tyre.

Komentet e Daçiq vijnë në kohën kur Perëndimi është duke provuar ta arrijë një zgjidhje mes palëve nëpërmjet një propozimi që u është u prezantuar e që ka për qëllim krijimi e një raporti të ri ku Serbia do ta pranonte ekzisetencën e Kosovës formalisht edhe pse pa njohje.

Duke folur për zgjidhjen Kosovë -Serbi, Daçiq theksoi se e vetmja gjë që “mendon se është reale është të pranohet situata aktuale në terren, të dihet se çfarë është serbe e çfarë shqiptare”.


Sipas tij, fajtorët kryesorë për moszgjidhjen e problemit janë ata që nuk pranojnë dhe nuk e kuptojnë se ky është vendimi më i shpejtë dhe më i drejtë.

Daçiq theksoi se Serbia e respekton Marrëveshjen e Uashingtonit ashtu siç respektohet edhe nga Kosova, e cila, sipas tij, e ka shkelur atë duke kërkuar pranimin në Këshillin e Evropës.

“Ne do t’ua kthejmë atyre jo me të njëjtën masë, por dhjetëfish më shumë”, tha Daçiq dhe shtoi se Serbia po punon për tërheqjen e njohjeve, si dhe për t’i bërë disa vende të ndryshojnë qëndrimet e tyre.

Kryediplomati serb kërkon ndarjen e Kosovës mes Shqipërisë
Daçiç gjatë intervistës në televizionin serb