BALLKAN, 13 Nëntor 2022, 21:58

Intervista ne DW/ Konrad Clewing: Perëndimi gabon nëse tani i kthen shpinën Kosovës

Intervista ne DW/ Konrad Clewing: Perëndimi gabon nëse tani i kthen

“Perëndimi do të tregohej shumë i pandreqshëm nëse nuk do të vepronte me energji tani për të arritur një paqe të përhershme në rajon”, – thotë për DW, Konrad Clewing. Ai është ekspert i Ballkanit në Institutin Leibniz për Studimet e Evropës Lindore dhe Juglindore në Regensburg.

Deutsche Welle: Zoti Clewing, disa ditë më parë u publikuan pjesë të propozimit franko-gjerman për një zgjidhje kompromisi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Si e vlerësoni ju këtë propozim?

Konrad Clewing: Nëse ajo që është publikuar në Euractiv.de përputhet me propozimin, atëherë mendoj se është një impuls interesant që nuk është as në dëm të Kosovës dhe as në dëm të Serbisë. Por e forcon pozitën e Kosovës: Neni 1 për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë ndonëse tingëllon si një frazë boshe, është në fakt një pikë e fortë për të drejta të barabarta mes dy vendeve. Por as Serbisë nuk i kërkohet të bëjë atë që aktualisht është e pamundur, pra, njohjen formale të Kosovës. Po kështu, të dyja palët duhet të respektojnë plotësisht integritetin territorial të palës tjetër dhe të mos e përfaqësojnë apo të veprojnë në emër të palës tjetër në institucione ndërkombëtare.

Megjithatë, ka një pikë që më mungon: që asnjëra palë të mos mbështesë apo mbajë institucione në territorin e tjetrës që nuk janë në përputhje me kuadrin ligjor të palës tjetrës. E them këtë sepse, ndryshe nga perceptimi se Serbia nuk mban asnjë institucion në Kosovë, ajo e bën këtë haptazi dhe hapur në disa fusha, si në rastin e të ashtuquajturit Universiteti i Prishtinës me seli në Mitrovicë, i cili në ueb-faqen e vet deklaron haptazi se bazohet në aktet juridike të Republikës së Serbisë dhe as që e përmend ekzistencën e Kosovës. Ekzistenca e institucioneve të tilla paralele kontribuojnë shumë në destabilizim.

Edhe në këto momente kemi një gjendje të destabilizuar. Serbët janë larguar nga institucionet në veri të Kosovës. Sa serioze është situata sipas mendimit tuaj?

Konrad Clewing: Kjo tërheqje është me të vërtetë një akt shumë i jashtëzakonshëm dhe nëse nuk merr fund së shpejti, ka një potencial të madh për të sjellë ndryshime. Sepse tërheqja e policëve serbë të Kosovës nga veriu i Kosovës ka krijuar një boshllëk sigurie. Ky boshllëk në polici, në gjykatë, në pushtetin lokal do të duhet të plotësohet disi. Nëse situata zgjat më shumë, mendoj se është shumë e rrezikshme dhe kjo është arsyeja pse në fakt mendoj se veprimet aktuale të forta diplomatike nga ana e SHBA-së, Francës, Gjermanisë dhe BE-së janë të arsyetuara.

Këto vende i kanë kërkuar Kurtit shtyrjen e zbatimit të sistemit të ndëshkimit për targat. Qeveria e Kurtit e refuzoi, si e gjykoni këtë vendim?

Konrad Clewing: Duhet të kemi parasysh se Kurti vjen nga një lëvizje, e cila në thelb ka dalë si rezultat i rezistencës ndaj paternalizmit të Kosovës nga ana e bashkësisë ndërkombëtare. Dhe në këtë aspekt është konsistente dhe e logjikshme që ai dhe qeveria e drejtuar prej tij të mos veprojnë plotësisht sipas udhëzimeve të shteteve perëndimore. Dhe me këtë ata kanë pasur edhe sukses disa herë. Kujtoj këtu mosmbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë, me gjithë thirrjet e fuqive perëndimore apo miqve të Kosovës. Ky ishte një akt rezistence që ia vlejti. Sepse ai shtoi dukshmërinë e Kosovës dhe forcoi shtetësinë e saj. Por tani kemi një situatë më të rrezikshme.

Çfarë duhet të bëjë qeveria në Kosovë për të parandaluar tensione të rënda?

Konrad Clewing: Institucionet kosovare aktualisht nuk kanë mjete pushteti në veri të Kosovës për të zbatuar dekretet e tyre. Dhe mendoj se është më mirë që ato të mos e provojnë. Kërkesa e tyre për targat, sado legjitime që është, në rrethanat e krijuara nuk mund të zbatohet me mjetet e shtetit ligjor, pra kur mungojnë policët serbë. Ajo mund të bëhet vetëm duke përdorur forcën, dhe kjo do të provokonte kundërdhunë. Pra, mendoj se nuk ka kuptim për momentin që qysh më 21 nëntor të fillohet me vendosjen e gjobave. Mendoj se do të ishte vërtet më mirë që ky hap të shtyhet derisa të nënshkruhet marrëveshja mbi bazën e planit franko-gjerman. Është pragmatike dhe e nevojshme.

Serbia ofron si kusht formimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Qeveria e Kosovës refuzon kategorikisht krijimin e një subjekti me bazë etnike. A do të ketë Kosova sukses me këtë qëndrim kaq të prerë?

Konrad Clewing: Qeveria e Kosovës nuk mund t’i shmanget parashtrimit të një propozimi për komunat me shumicë serbe në veri të vendit. Gjykata Kushtetute në vitin 2015 nuk e hodhi poshtë krijimin e një asociacioni, përkundrazi ajo tha se e mbështet krijimin e Asociacionit të premtuar në Marrëveshjen e vitit 2013, por se asociacioni nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive. Si qeveria e mëparshme, ashtu edhe kjo e tanishmja do të duhej të kishin dalë prej kohësh me një propozim konkret mbi bazën e këtij vendimi. Pala kosovare deri më tani nuk ka bërë asgjë për këtë çështje, sepse ka menduar se mund ta shtyjë. Por nuk mendoj se në situatën gjeopolitike që kemi sot, pas sulmit rus ndaj Ukrainës, duhet të jemi kaq të relaksuar dhe të mendojmë se një ditë gjërat do të përmirësohen vetvetiu.

Serbia ofron si kusht formimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Qeveria e Kosovës refuzon kategorikisht krijimin e një subjekti me bazë etnike. A do të ketë Kosova sukses me këtë qëndrim kaq të prerë?

Konrad Clewing: Perëndimi do të tregohej shumë i pandreqshëm nëse nuk do të vepronte me energji tani për të arritur një paqe të përhershme në rajon. Një marrëveshje midis Serbisë dhe Kosovës është e pamundur nëse nuk ndodh nën mbikëqyrjen dhe presionin e shteteve perëndimore. Sepse dialogu i zhvilluar nga BE-ja deri më tani nuk ka sjellë asgjë. Dobësia themelore e perëndimit është se për një kohë të gjatë – edhe pas agresionit rus ndaj Ukrainës – nuk arriti të dilte nga pozicioni i neutralitetit kundrejt statusit të Kosovës: Institucionet e rëndësishme ndërkombëtare, si BE dhe NATO, që në fakt prej vitit 1999 po e shoqërojnë krijimin e strukturave shtetërore të Kosovës dhe parimisht janë për anëtarësimin e saj në to, janë zyrtarisht neutrale ndaj statusit të saj. Dhe ky qëndrim i dobët i perëndimit është një burim i përhershëm destabilizimi në rajon, dhe duhet të marrë fund sa më shpejt.