BALLKAN, 25 Shkurt 2023, 13:51

Si do të reagojë Rusia nëse Vuçiç nënshkruan një marrëveshje me Kosovën?

Si do të reagojë Rusia nëse Vuçiç nënshkruan

Mundësit që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç të nënshkruajnë një marrëveshje mbi bazën e propozimit franko-gjerman (evropian) në takimin e radhës më 27 shkurt në Bruksel janë tejet të larta, shkruan mediumi opozitar serb Danas.

Por, gjithë në këtë mes pyetja më legjitime që lind është se si do të reagojë Rusia në rast se nënshkruhet një marrëveshje me qëllim të qetësimit të tensioneve.

Sipas Suzana Grubjeshiç, nënkryetare e Qendrës për Politikë të Jashtme në Serbi, në planin franko-gjerman nuk përmendet as njohja eksplicite e Kosovës as anëtarësimi i saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, prandaj mbi këto premisa, Grubejshiç thotë se “nuk e shoh e shoh se si Rusia mund të pengojë zbatimin e planit në këtë fazë, përveç faktit të njohur se me zgjidhjen e çështjes së Kosovës ajo humb një nga levat më të rëndësishme të ndikimit në Serbi”.

“Në fund të fundit, a nuk e kanë përsëritur vazhdimisht zyrtarët rusë se gjithçka që i përshtatet Serbisë është e pranueshme për ta? Fakti që Rusia ka interes që çështjen e Kosovës ta mbajë të ngrirë dhe të pazgjidhur, nuk do të thotë se është në interes të Serbisë, e cila duhet të vendosë në radhë të parë të ardhmen e saj”, thotë ajo për Danas.

Në anën tjetër analisti politiki, Dragomir Angjelkoviç, beson fuqishëm se Aleksandër Vuçiç nuk do ta nënshkruaj marrëveshjen mbi propozimin franko-gjerman, në të kundërtën, sipas tij, Vuçiç bënë shkeljen më të rëndë Kushtetuese.

“Por, nëse hipotetikisht, duke marrë mbi vete pasojat negative, do të firmoste marrëveshjen për të cilën flitet prej muajsh, reagimi do të ishte i brendshëm dhe jo i jashtëm. Një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve serbë do ta refuzonin atë”, thotë ai për Danas.

Ndërsa për Avokatin, Çedomir Stojkoviç, interesi i Moskës zyrtare në këtë fazë është krijimi dhe mbajtja e konflikteve në Ballkan veçanërisht parandalimin e çdo lloj pajtimi mes kombeve.

“Prandaj interesi i saj është të parandalojë përfundimin e marrëveshjes me Kosovën, sepse duke vepruar kështu Rusia humbet njërën nga platformat hibride me të cilat manipulon Serbinë dhe me të cilat jo vetëm ndikon në proceset tona politike, por edhe menaxhon me vendosmëri politikën në Serbisë”, thotë ai për Danas.

Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç do të takohen me Josep Borrell në Bruksel me 27 shkurt me idenë e një pajtimi të përbashkët në parim për nënshkrimin e Marrëveshjes Bazë të mbështetur në Propozimin franko-gjerman (evropian).

Nëntë ditë para takimit të kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Albanian Post sërish kupton nga burime diplomatike se një pajtim për nënshkrim tashmë është dhënë nga të dyja palët.