BALLKAN, 24 Shkurt 2023, 14:30

Presidentja e Kosovës: Lufta e Ukrainës është lufta jonë

Presidentja e Kosovës: Lufta e Ukrainës është lufta

Në përvjetorin e nisjes së luftës në Ukrainë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është shprehur e sigurt në fitoren e Ukrainës, teksa ka thënë se “lufta e tyre është lufta jonë”.

“Triumfi i demokracisë, drejtësisë dhe lirisë në Ukrainë do të jetë një fitore për demokracitë kudo”, thuhet në postimin e Osmanit në Twitter.

Një vit më parë, më 24 shkurt, Rusia e nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës dhe që nga atëherë është përballur me sanksione nga shtetet perëndimore, të cilat kanë përkrahur financiarisht dhe ushtarakisht Ukrainën.

Kosova u është bashkuar shteteve perëndimore duke dënuar dhe vendosur sanksione ndaj Rusisë.

“Kjo luftë e ka bashkuar botën demokratike, por mbi të gjitha e ka dëshmuar se shpirti i popullit ukrainas është i pathyeshëm. Siç e dinë qytetarët e Kosovës shumë mirë, brutaliteti dhe agresioni nuk mund ta pengojnë vullnetin e një populli për të qenë të lirë”, thuhet në deklaratën e Osmanit.

Më tutje, Osmani shtoi se Kosova do të qëndrojë gjithmonë përkrah demokracive të botës përballë “tiranive dhe hegjemonive”.

“Sepse ne e dimë se lufta e tyre është lufta jonë dhe se triumfi i demokracisë, drejtësisë dhe lirisë në Ukrainë do të jetë fitore për demokracitë kudo në botë”, thuhet në deklaratën e Osmanit.

Përveçse i është bashkuar SHBA-së dhe BE-së në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, Kosova edhe ka strehuar disa gazetarë ukrainas, pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt 2022.

Përvjetori i parë i luftës në Ukrainë është shënuar edhe në një seancë solemne të mbajtur në Kuvendin Komunal të Prishtinës, ku morën pjesë edhe ambasadori i SHBA-së, Jeff Hovenier, dhe ambasadori i BE-së në Kosovës, Tomas Sznunuyog.