BALLKAN, 14 Janar 2025, 14:55

Shtyhet paraburgimi për ish-luftëtarët e UÇK/ Haga: Selimi dhe Krasniqi mund të ndikojnë mbi drejtësinë

Shtyhet paraburgimi për ish-luftëtarët e UÇK/ Haga: Selimi

Për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi është shtyre masa e paraburgimit nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë edhe me dy muaj te tjerë. Me anë të dy vendimeve të ndara trupi gjykues ka urdhëruar gjithashtu Zyrën e Prokurorit të Specializuar që të paraqes në mënyrë shkresore deri më 21 shkurt 2025 parashtrimin e saj për rishqyrtimin e ardhshëm të masës së paraburgimit për dy të akuzuarit.

Ashtu si për Krasniqin, edhe për Selimin, paneli ka arritur në përfundim se në këto momente nuk ka mjaftueshëm informacione që tregojnë se të akuzuarit mund t’i shmangen drejtësisë. Megjithatë, për të dy ekziston rreziku që të pengojnë përparimin e procedurave si dhe të kryejnë krime të tjera kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, duke përfshirë edhe dëshmitarët.

Në rrjedhën e gjithë kësaj, Zyra e Prokurorit te Specializuar ka argumentuar se paraburgimi për dy të akuzuarit mbetet një mase e domosdoshme. Sipas kësaj zyre asnjë masë alternative nuk mund të menaxhojë në mënyre efektive rreziqet ekzistuese në lidhje me të akuzuarit përveçse mbajtja e tyre në objektin e paraburgimit. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi janë te akuzuar për krime lufte.