BALLKAN, 3 Janar 2025, 21:56

Shpëtoi vetëm fëmija 4 vjeç/ Aksidenti tragjik në Maqedoninë e Veriut, nxirret trupi i katërt i pajetë nga lumi Vardar

Shpëtoi vetëm fëmija 4 vjeç/ Aksidenti tragjik në

Një aksident tragjik ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në rrugën Rashçe-Saraj në Maqedoninë e Veriut, ku një makinë me 5 persona ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në lumin Vardar.

Nga makina u nxorrën tre trupa të pajetë dhe një fëmijë 4 vjeç i cili fatmirësisht ishte i gjallë. Gjatë përmbysjes së makinës, i mituri ka fluturuar jashtë automjetit, dhe është gjetur nga kalimtarët e rastit dhe me ndërhyrjen e tyre është dërguar në spitalin ”8 shtatori” në Shkup.

Sipas drejtorit të Kirurgjisë së Fëmijëve në Shkup, Lazo Jovçeski, fëmija katërvjeçar është liruar nga ambientet e spitalit dhe ndodhet në shtëpi. Ndërkohë pasditen e sotme është gjetur edhe trupi i katërt i pajetë që ndodhej në automjet.

Të gjithë viktimat dhe fëmija i mitur ishin nga familja Arsllani e fshatit Gërçec të komunës së Sarajit. Siç raportojnë mediat vendase, në makinë ishte burri dhe gruaja e tij, njëra prej vajzave të tyre dhe nusja e djalit e ardhur nga Italia, si dhe fëmija që ka shpëtuar.

Ata ishin nisur për një darkë familjare, ndërsa gjatë rrugës ka ndodhur tragjedia. Për aksidentin e rëndë ka reaguar edhe kryetari i partisë shqiptare BDI, Ali Ahmeti, i cili tha se dhimbjen e kësaj familje e “ndjejmë si tonën”.