BALLKAN, 28 Qershor 2025, 15:11

Përfundojnë festimet e “Vidovdanit”, serbët këndojnë këngë nacionaliste për Kosovën

Përfundojnë festimet e “Vidovdanit”, serbët

Në Gazimestan, rreth dhjetë kilometra larg Prishtina, serbët nga Kosova, Serbia dhe vendet e rajonit, e festuan edhe këtë 28 qershor Vidovdanin, në kujtim të betejës kundër ushtrisë turke në Kosovë në vitin 1389.

Vidovdani festohet tradicionalisht edhe nga Kisha Ortodokse Serbe, e cila kryen edhe rit fetar, si shenjë përkujtimi për ushtarët e vrarë në atë që njihet si Beteja e Kosovës.

Pas ritualit përkujtimor të mbajtur nga kisha, individë, sikurse në vitet e kaluara, filluan të këndonin këngë për Kosovën  dhe të bërtisnin “Kosova është zemra e Serbisë” dhe “Kosova është Serbi”.

Njësia Speciale e Policisë së Kosovës, më pas, u vendos në dalje dhe disa vizitorë u ndaluan dhe u shoqëruan në makinat e policisë.  Festimi i Vidovdanit këtë vit kaloi pa incidente tjera të mëdha.  Zyrtarët policorë i kanë kontrolluar të gjithë ata i janë bashkuar festës.

Të pranishëm këtë vit në Gazimestan ishin edhe anëtarë të Inspektoratit të Policisë së Kosovës.  Në vitet e kaluara, pjesëmarrësit kanë pasur ankesa për “përdorim të tepërt të forcës” nga policia./REL