BALLKAN, 28 Qershor 2025, 12:14

Festa e Vidovdanit/ Arrestohet në Graçanicë organizatori i pelegrinëve nga Beogradi, ndalimi bëhet në prani të KFOR-it dhe IPK-së

Festa e Vidovdanit/ Arrestohet në Graçanicë organizatori i

Policia e Kosovës ka ndaluar shtetasin serb V.P., i identifikuar si organizator i një grupi pelegrinësh që kishin ardhur nga Beogradi për të marrë pjesë në aktivitetet për Ditën e Vidovdanit.

Sipas raportimeve të Kossev dhe Radio Kim, ndalimi i tij është bërë në prani të përfaqësuesve të KFOR-it dhe të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK). Grupi që ai udhëhiqte mbante bluza me mbishkrime politike si “Serbia e Bashkuar” dhe veshje në ngjyrat kombëtare serbe: kuq, kaltër dhe bardhë.

Megjithatë, arsyet zyrtare të ndalimit nuk janë bërë të ditura. Komandanti i stacionit policor në Graçanicë, Bratislav Trajkoviq, refuzoi të komentojë për mediat, duke i referuar gazetarët tek Zyra për Media e Policisë së Kosovës.

Në Graçanicë vërehet prezencë e shtuar e forcave të rendit, si dhe një numër i konsiderueshëm automjetesh të KFOR-it të pozicionuara në disa pika të ndryshme.

Për momentin nuk ka asnjë informacion zyrtar nëse V.P. është ndaluar për shkak të mesazheve të grupit apo për arsye të tjera të sigurisë. Arrestimi ndodhi në kontekstin e ngjarjeve të ndjeshme të Vidovdanit, një ditë me simbolikë të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.