BALLKAN, 28 Qershor 2025, 09:52

40 vatra zjarri përfshijnë Greqinë në 24 orët e fundit, shtatë ende aktive

40 vatra zjarri përfshijnë Greqinë në 24 orët e fundit,

Greqia po përballet me një situatë të përkeqësuar zjarresh, pasi gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 40 vatra të reja zjarri në territorin e saj. Sipas njoftimit nga Departamenti i Zjarrfikësve, 33 prej këtyre zjarreve janë neutralizuar menjëherë në fazat e para të shpërthimit, ndërsa shtatë vatra të tjera mbeten ende aktive dhe po trajtohen nga forcat zjarrfikëse që nga mbrëmja e së premtes.

Një nga rastet më problematike është ai në zonën Argithea të Peanias, në rajonin e Atikës, ku një zjarr që përfshiu shkurre të ulëta u vu pjesërisht nën kontroll. Zjarri shpërtheu rreth orës 18:30 pranë një zone të banuar dhe angazhoi 50 zjarrfikës, dy njësi elitë të ndërhyrjes pyjore, 15 automjete zjarrfikëse, vullnetarë të shumtë, si dhe dy aeroplanë dhe katër helikopterë për shuarjen nga ajri.

Për shkak të përhapjes së zjarrit, banorët e fshatit Boura Papangelaki në Peania u paralajmëruan nëpërmjet sistemit të emergjencës 112 që të jenë në gatishmëri të plotë dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve, në rast se do të nevojitet evakuim i menjëhershëm.

Hetuesit e Departamentit të Zjarrfikësve, në bashkëpunim me autoritetet lokale, kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e shpërthimit të zjarreve. Në këtë kontekst, autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të respektojnë udhëzimet zyrtare për parandalimin e rrezikut të përhapjes së zjarreve, veçanërisht në kushtet e temperaturave të larta dhe erërave të forta.