BALLKAN, 21 Qershor 2025, 22:40

Masa të forta kundër zjarreve/ Maqedonia e Veriut mbyll pyjet nga 1 korriku: Kush hyn pa leje rrezikon burg

Masa të forta kundër zjarreve/ Maqedonia e Veriut mbyll pyjet nga 1

Duke nisur nga 1 korriku dhe deri në fund të gushtit, në Maqedoninë e Veriut hyn në fuqi ndalimi i plotë i lëvizjes së lirë në zonat pyjore. Ky vendim merret çdo verë për të parandaluar zjarrëvëniet në pyje, që shpesh shkaktohen nga faktori njeri.

Gjatë kësaj periudhe, çdo person që ka nevojë të hyjë në pyje duhet të pajiset me leje të posaçme nga "Pyjet Kombëtare". Kjo leje mundëson që autoritetet të monitorojnë çdo aktivitet dhe person të pranishëm në zona të mbrojtura, në mënyrë që në rast incidenti të identifikohen më shpejt përgjegjësit.

Kire Mihailov, zëvendësdrejtor i përgjithshëm i "Pyjeve Kombëtare", sqaroi se:
“Nëse ndodh një zjarr apo ndonjë dëmtim tjetër në zonën ku është dhënë leja, ne dimë saktësisht kush ka qenë aty dhe mund të reagojmë menjëherë.”
Situata këtë vit është veçanërisht e ndjeshme, pasi reshjet e shumta në pranverë kanë favorizuar rritjen e barit dhe bimësisë, e cila, kur thahet nga temperaturat e larta, kthehet në material shumë të rrezikshëm për përhapjen e flakëve.

Dënime të rënda për zjarrvënësit
Sipas ligjit të vendit, personat që shkaktojnë zjarr pyjor në shkallë të gjerë mund të përballen me burgim prej të paktën 8 vjetësh. Përgjegjës për hetimin dhe ndëshkimin e zjarrvënësve mbetet policia.

Mungesë pajisjesh dhe burimesh për shuarjen e zjarreve
Megjithatë, autoritetet e pranojnë se kapacitetet për shuarjen e zjarreve mbeten të kufizuara:

Pjesa më e madhe e automjeteve të zjarrfikëses janë jashtë funksionit.
Ka mungesa të pompave dhe pajisjeve të tjera teknike.
Nga tre avionët e mbrojtjes civile, aktualisht funksional është vetëm një.
Në raste emergjente, do të angazhohen edhe forcat ushtarake dhe policia me mjete ajrore ndihmëse.
Ky vendim vjen si pjesë e masave parandaluese për një sezon të sigurt veror, duke marrë parasysh rrezikun e madh që paraqesin temperaturat e larta dhe faktorët natyrorë, por mbi të gjitha pakujdesia dhe ndërhyrjet e qëllimshme njerëzore.