BALLKAN, 22 Gusht 2023, 19:28

Kurti: Situata në Veri është shtensionuar! BE të heqë masat dhe të zbatohet plotësisht marrëveshja e arritur mes Kosovës dhe Serbisë

Kurti: Situata në Veri është shtensionuar! BE të heqë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha të martën (22 gusht) se situata në veriun e vendit është shtensionuar dhe është koha që Bashkimi Evropian të heq masat ndëshkuese ndaj Kosovës dhe të punohet për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë që është arritur në mars të këtij viti.

Kryeministri citohet të ketë thënë se “pas dakordimit të Bratislavës po bëhen dy muaj pa asnjë incident e protestë të dhunshme në katër komunat në veri të Kosovës”. Tashmë sipas tij ka një situatë të shtensionuar dhe përqendrimi duhet të jetë “te parandalimi i përshkallëzimit nga elementë të dhunshëm”.

Kryeministri Kurti ka bërë thirrje të zbatohet plotësisht dhe pa kushtëzime marrëveshja e arritur në fillim të këtij viti në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Thirrje për shtenisonim të situatës në veri të Kosovës dhe angazhim më të madh në dialogun ne lehtësuar nga Bashkimi Evropian ka kërkuar edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila një ditë më parë i takoi ndaras kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç në Greqi ku morën pjesë në darkën joformale të organizuar nga kryeministri grek.

Bashkimi Evropian kërkon uljen e tensioneve përmes një plani që parasheh pezullimin e operacioneve policore në veri, zhvendosjen e kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme me pjesëmarrje të pakushtëzuara të serbëve të Kosovës.

Qeveria e Kosovës është pajtuar për hapat e uljes së tensioneve, duke përgjysmuar praninë e njësive të policisë në ndërtesat komunale në veri dhe duke bërë veprime për t’u hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme.

Ajo pret që Bashkimi Evropian të heq masat ndëshkuese ndaj Kosovës të cilat u vendosën në qershor për shkak të situatës në veri.

Por Bashkimi Evropian ka thënë se veprimet e qeverisë “janë hapa të rëndësishëm në drejtimin e duhur, por nevojiten hapa të tjerë” për të zbutur krizën në veri zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen sa më shpejt që të jetë e mundur./Zëri i Amerikës