BALLKAN, 7 Maj 2025, 10:36

Kriza/ Tentativa e 12-të për zhbllokim të Kuvendit të Kosovës, kundërshtohet propozimi i LDK-së për krijimin e një qeverie tranzicioni

Kriza/ Tentativa e 12-të për zhbllokim të Kuvendit të

Pas 11 dështimeve radhazi, Kuvendi i Kosovës mblidhet sërish sot për përpjekjen e 12-të për t’u konstituuar.

Pas gati një muaji ngërç politik, mbetet të shihet nëse do të ketë lëvizje që çojnë drejt formimit të institucioneve. Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka nisur më 15 prill, por prej atëherë janë miratuar vetëm dy pika të rendit të ditës.

Ngërçi ka mbetur te pika e tretë, zgjedhja e kryetarit të Kuvendit. Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar kalimin nga votimi i hapur në atë të fshehtë, por për shkak se komisioni për mbikëqyrjen e këtij procesi nuk ka marrë mbështetjen e nevojshme, procesi është bllokuar.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj para nisjes së seancës konstituive tha se Lidhja Demokratike e Kosovës në vend të propozojë të ecet përpara, me idenë e tyre për qeveri të tranzicionit po propozojnë të shkojnë prapa.

“Kot…Në  vend të ecim përpara ata propozojnë të shkojnë prapa…”, tha Rexhaj, kur u pyet për idenë e LDK-së për qeveri të tranzicionit.

“…Ajo që po propozon LDK është ta themi devijim i vullnetit të qytetarëve të Kosovës. Ne e kemi dëshmua se nuk jemi bllokues dhe në formë transparente kemi kërkuar koalicion… LDK po dëshiron të kthehet prapa dhe nuk dëshiron të ecë para pa PDK dhe AAK…”, tha ai.

Edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, ka kundërshtuar propozimin e kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për krijimin e një qeverie të tranzicionit.

Para mediave, Berisha tha se Abdixhiku nuk po guxon të shkojë i vetëm në koalicion me LVV-në.

“Unë mendoj që Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku janë dy anët e të njëjtës medalje. Ky po na fton neve, sepse nuk po guxon me shku vet, e me nda fajin për asociacion e po na thotë hajdeni krejt bashkë e ta marrim përgjegjësin bashkë. Unë nuk jam i interesuar ta marrë fajin, edhe nuk ka nevojë me na thirr ta bëjmë qeverinë me ta”, pohoi ai./Telegrafi