TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Komisioni Evropian, duke pasur parasysh heqjen e vizave për shtetasit e Kosovës, ka propozuar që vizat të hiqen edhe për bartësit e pasaportave të Republikës së Serbisë, të cilët banojnë në territorin e Kosovës.
Për t’u përfshirë edhe bartësit e pasaportave që i lëshon një zyre e veçantë në Beograd (zyra koordinuese) Komisioni ka propozuar ndryshimin e vendimit për liberalizimin e vizave për Serbinë.
Serbët nga Kosova kanë të drejtën e pasaportës së Serbisë, e cila ka marrë liberalizimin e vizave në vitin 2009. Mirëpo, me kërkesë të BE-së, është dashur të formojë një Administratë Koordinuese për lëshimin e pasaportave për ata që kanë adresë në Kosovë. Në prill të këtij viti, KE-ja kishte theksuar se liberalizimi i vizave i miratuar për Kosovën vlen vetëm për poseduesit e pasaportave të Kosovës dhe jo për ata qytetarë që kanë pasaporta të Administratës Koordinuese, e cila punon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.
Në atë kohë ishte vlerësuar se ekziston rreziku nga migrimi masiv, si dhe disa çështje të sigurisë.Në propozimin e vet Komisioni Evropian argumenton se tashmë nuk ekzistojnë arsyet për shkak të së cilave ishte vendosur që bartësit e pasaportave të Republikës së Serbisë me vendbanim në Kosovë të mos kenë mundësi të udhëtojnë pa viza, për dallim nga shtetasit e Serbisë me vendbanim në Serbi.
Nga 1 janar i viti 2024 qytetarët e Kosovës pritet të udhëtojnë pa viza në 27 vende të BE-së, të cilat e përbëjnë të ashtuquajturën zonë Shengen.
Pasi të hyjë në fuqi liberalizimi i vizave për bartësit e pasaportave biometrike të Republikës së Kosovës, bartësit e pasaportave të Serbisë me vendbanim në Kosovë, do të mbeteshin të vetmit pa mundësinë e lëvizjes pa viza.Komisioni e ka dhënë këtë propozim ndërsa tash vendimi duhet të merret nga Këshilli në bashkëpunim me Parlamentin Evropian. Komisioni Evropian në propozimin e vet ka theksuar se situata aktuale rreth bartësve të pasaportave të Serbisë që lëshon zyra koordinuese në Beograd, është diskutuar edhe me autoritetet e Serbisë dhe ato të Kosovës.
“Më 16 nëntor Komisioni Evropian ka miratuar propozimin që të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor të mund të lëvizin pa viza në BE. Kjo propozohet edhe për bartësit e pasaportave që i lëshon Drejtoria koordinuese në Beograd. Tash vendimi është në duar të Këshillit dhe Parlamentit Evropian”, ka thënë zëdhënësi i Komisionit Evropian për çështje të brendshme dhe të drejtat e njeriut Kristijan Viegand.
Vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën do të nisë të zbatohet nga 1 janari i vitit që vjen.
Ndërsa, vendimi që edhe bartësit e pasaportave të Serbisë me vendbanim në Kosovë të lëvizin pa viza, do të hyjë në fuqi 20 ditë pas botimit në gazetën zyrtare të BE-së./REL