BALLKAN, 17 Janar 2025, 15:01

Ish-krerët e UÇK në qeli, por do të votojnë në Hagë/ Gjykata: Do të ushtrojnë të drejtën për zgjedhjet në Kosovë

Ish-krerët e UÇK në qeli, por do të votojnë në

Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi do të kenë mundësi të votojnë për zgjedhjet e 9 shkurtit. Lajmi është bërë i ditur nga Michael Doyle, zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës.

“Janë marrë të gjitha masat që të paraburgosurit të ushtrojnë të drejtat e tyre qytetare si qytetarë të Kosovës për të votuar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, ka sqaruar zëdhënësi i Dhomave te Specializuara. Ndërkohë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ne Kosove ka njoftuar se është në kontakt me Dhomat e Specializuara për organizimin e votimit për ish-ushtarët e UÇK-së.

Sipas zëdhënësit të KQZ Valmir Elezi procesi i votimit do të organizohet në përputhje me rregullat e këtij institucioni. “Mund t’iu konfirmoj se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në kontakt me Dhomat e Specializuara për organizimin e votimit për shtetasit e Kosovës të cilët ndodhën në Hagë. Procesi i votimit do të organizohet në përputhje me te gjithë rregullat, pa rënë ndesh me masën e sigurisë.” theksoj Elezi.

Thaçi, Krasniqi, Veseli e Selimi po mbahen në paraburgim në Hagë prej katër vitesh duke u përballur me  akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Procesi gjyqësor i tyre, i cili filloi në prill të vitit 2023, pritet të përfundojë këtë vit, ndërsa ish-krerët e UÇK-se kane ushtruar te drejtën e votës edhe ne zgjedhjet e parakohshme parlamentare te 14 shkurtit 2021.