BALLKAN, 18 Maj 2022, 10:59

Haga dënon me nga katër vite burg dy ish-drejtuesit e UÇK-së

Haga dënon me nga katër vite burg dy ish-drejtuesit e

Në Dhomat e Specializuara në Hagë është dhënë vendimi ndaj dy ish-drejtuesve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Gjykata ka shpallur Hysni Gucatin fajtor për pengimin e kryerjen e detyrave të funksionarëve zyrtarë të Kosovës, frikësim të dëshmitarëve gjatë procesit gjyqësor, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe zbulimit të identitetit të dëshmitarëve të mbrojtur.

Gjykata e ka dënuar me 4 vjet burg dhe me një gjobë prej 100 eurosh.

Gjithashtu, Gjykata ka dhënë vendimin ndaj Nasim Haradinajt duke e shpallur fajtor për pengimin e kryerjen e detyrave të funksionarëve zyrtarë të Kosovës nëpërmjet kërcënimit, frikësim të dëshmitarëve gjatë procesit gjyqësor, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe zbulimit të identitetit të dëshmitarëve të mbrojtur.

Haradinaj është dënuar me 4 vite e gjysmë burg dhe me një gjobë prej 100 eurosh e cila duhet paguar deri më 18 korrik 2022.

Gucati dhe Haradinaj u arrestuan në shtator të vitit 2020, pas dyshimeve se në disa konferenca për media në selinë e OVL-UÇK në Prishtinë kanë shpërndarë dokumente të klasifikuara të Dhomave të Specializuara, që njihen edhe si Gjykata Speciale. 

Sipas akuzës theksohet se këto dokumente, të të cilat u janë shpërndarë gazetarëve, kanë pasur edhe emra të dëshmitarëve potencialë, të cilët mund të dëshmonin kundër ish-krerëve të UÇK-së, përfshirë edhe në rastin kundër ish-presidentit, Hashim Thaçi, ish-kryetarëve të Kuvendit, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi si dhe ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.