TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Shqiptari Flamur S., i njohur prej vitesh në botën e trafikut të drogës në Belgjikë si 'Maradona', është liruar nga burgu pas miratimit të një marrëveshjeje për pranim paraprak të fajësisë. Mediat vendase raportojnë se Flamur S. pranoi fajësinë për akuzat që i atribuohen dhe ra dakord për një dënim prej pesë vitesh burg, nga të cilat dy vjet efektive, si dhe për pagesën e 1.5 milionë eurove në favor të shtetit belg.
Pas marrëveshjes trafikanti shqiptar u lirua nga burgu, pasi kishte vuajtur tashmë dy vjet paraburgim në Turqi dhe Belgjikë. Flamur S. ka luajtur një rol kyç në organizatën kriminale të trafikantit Flor Bressers. I njohur me nofkën “Maradona”, ai dyshohet se drejtonte ekipet e ashtuquajtura “gërmues”, të cilat nxirrnin ngarkesat e kokainës të fshehura në kontejnerë me mineral mangani. Gjithashtu, ai ishte përgjegjës për mbledhjen e shumave të mëdha të parave që qarkullonin brenda rrjetit, KU ku u sekuestruan rreth 17 milionë euro.
Kjo nuk është hera e parë që ai përballet me drejtësinë. Në vitin 2010, ai u dënua me tetë vjet burg dhe 27.500 euro gjobë si drejtues i një organizate kriminale që kontrabandonte dhjetëra kilogramë kokainë nga Amerika e Jugut drejt Evropës përmes korrierëve.
Në fillim të vitit 2025, Flamur S. u ekstradua nga Turqia, ku ishte fshehur së bashku me Sani Al Murdaa. Të dy kishin siguruar shtetësinë turke dhe për një kohë të gjatë besonin se ishin të paprekshëm nga autoritetet. Megjithatë, në vitin 2024 autoritetet turke ua revokuan shtetësinë dhe arrestuan Flamur S., i cili më pas u transferua në Belgjikë.
Ndërkohë, procesi Bressers do të vazhdojë në shtator për të pandehurit e tjerë, ndërsa çështja ndaj Flamur S. konsiderohet e mbyllur pas marrëveshjes së arritur me drejtësinë belge.