TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Austria është shprehur kundër idesë së një anëtarësimi të përshpejtuar të Ukrainës në Bashkimin Evropian.
Ministrja austriake për Çështjet Evropiane, Claudia Bauer, deklaroi se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka kërkuar vazhdimisht një afat të caktuar për anëtarësimin, por theksoi se një proces i tillë nuk mund të përshpejtohet me kërkesë politike.
Sipas Bauer, BE-ja duhet të vlerësojë me kujdes aftësinë e saj për të pranuar anëtarë të rinj.
Ajo nënvizoi se Ukraina, me rreth 39 milionë banorë dhe një sektor bujqësor shumë të ndryshëm nga ai i vendeve të tjera të unionit, do të sillte ndryshime të rëndësishme në funksionimin e BE-së.
Ministrja paralajmëroi gjithashtu se nuk duhet të krijohet një “sistem me dy standarde”, duke theksuar se të gjitha vendet kandidate duhet të respektojnë të njëjtat rregulla dhe të përmbushin vetë kriteret për anëtarësim.
Bashkimi Evropian hapi negociatat e anëtarësimit me Ukrainën në mesin e muajit qershor të këtij viti.
Faza e parë e bisedimeve përqendrohet te reforma në drejtësi, mbrojtja e vlerave themelore dhe çështjet e sigurisë, ndërsa Ukraina duhet të ndërmarrë ende reforma të rëndësishme, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit.
Presidenti Zelensky ka kërkuar që Ukraina të bëhet pjesë e BE-së deri në vitin 2027, por shumë vende anëtare e konsiderojnë këtë afat jorealist.
Në Bruksel mbizotëron bindja se anëtarësimi nuk pritet para mesit të dekadës së ardhshme dhe jo përpara përfundimit të luftës me Rusinë.
Ndërkohë, kancelari gjerman Friedrich Merz ka propozuar që Ukraina të ketë një status të veçantë kalimtar, i cili do t’i lejonte të merrte pjesë në samitet dhe takimet ministrore të BE-së pa të drejtë vote.