BOTA, 24 July 2026, 21:16

Trump sulmon BE-në pas gjobës ndaj Google: SHBA nuk është “banka derrkuci” e Evropës

Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar ashpër ndaj Bashkimit Evropian, duke e akuzuar se po godet padrejtësisht kompanitë e mëdha amerikane me gjoba miliarda dollarëshe. Ai paralajmëroi nisjen e një hetimi dhe vendosjen e tarifave të reja ndaj BE-së.

Përmes një postimi në platformën Truth Social, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kritikoi ashpër Bashkimin Evropian, pasi ky i fundit vendosi një tjetër gjobë prej 1 miliard dollarësh ndaj Google. Sipas Trump, vendimi është i pajustifikuar dhe e çon vlerën totale të gjobave të vendosura ndaj kompanisë në mbi 18 miliardë dollarë.

Trump kujtoi edhe sanksionet e mëparshme ndaj kompanive të tjera amerikane, duke përmendur gjobën prej 15 miliardë dollarësh ndaj Apple, 3 miliardë dollarë ndaj Meta dhe 2.5 miliardë dollarë ndaj Amazon.

“Shtetet e Bashkuara nuk janë ‘banka derrkuci’ e Evropës dhe nuk do ta lejojmë të jenë”, shkroi ai.

Presidenti amerikan pretendoi se kjo praktikë nisi gjatë administratës së ish-presidentit Joe Biden, por theksoi se nuk do të vazhdojë gjatë mandatit të tij.

Trump paralajmëroi se administrata e tij do të nisë menjëherë një hetim sipas Seksionit 301, mbi atë që e cilësoi si një praktikë të “grabitjes” së kompanive amerikane dhe, për rrjedhojë, të taksapaguesve amerikanë.

“Bashkimi Evropian do të paguajë një çmim shumë të lartë për këtë sjellje të paligjshme dhe shumë joetike, për të cilën i kam paralajmëruar vazhdimisht”, u shpreh Trump.

Në përfundim, ai shtoi se, sipas tij, këto gjoba do të anulohen plotësisht dhe se ndaj Bashkimit Evropian do të vendosen tarifa të konsiderueshme “sa më shpejt të jetë e mundur”.