TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se vazhdimi i procesit të konstituimit të Kuvendit pa një marrëveshje për çështjen e presidentit mund ta vështirësojë arritjen e një marrëveshje me njërën nga partitë parlamentare dhe praktikisht të çojë në zgjedhje të reja.
Në një konferencë për media pas ndërprerjes së seancës konstituive, Kurti ka kërkuar kohë shtesë për vazhdimin e diskutimeve politike, duke thënë se një marrëveshje për presidentin do të mundësonte konstituimin e plotë të institucioneve.
“Çfarëdo konstituimi i Kuvendit pa marrëveshje për çështjen e presidentit praktikisht do të ishte parapërgatitje për shpërndarjen e Kuvendit”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka thënë se dhënia e mundësisë për dialog politik është, sipas tij, mënyra e vetme për të arritur një zgjidhje dhe për të shmangur zgjedhjet e reja.
Kurti ka theksuar se që nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve, kanë dashur t’u japin hapësirë diskutimeve, ashtu siç kishin kërkuar partitë opozitare pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
“LDK-ja i pezulloi bisedimet pas problemeve të brendshme dhe diskutimi i radhës pardje me kryetarin e LDK-së tregoi që nuk ishte kohë e mjaftueshme për të arritur dakordim. Përballë kësaj situate është e nevojshme t’i jepet shans vazhdimit të diskutimeve para se të lëvizim për konstituimin e Kuvendit, që mund ta vështirësonte marrëveshjen potenciale dhe evitimin e zgjedhjeve të radhës”, ka thënë ai.
Sipas Kurtit, sapo të arrihet marrëveshja për presidentin, do të vazhdohet me procesin e konstituimit të Kuvendit dhe krijimit të institucioneve.