BALLKAN, 4 August 2026, 22:35

Humbi jetën në krye të detyrës duke luftuar zjarret në Greqi/ Familja e pilotit grek kërkon zbardhjen e tragjedisë: Ishte profesionist

Nëna dhe motra e pilotit grek që humbi jetën pas rrëzimit të helikopterit në Greqi kanë vendosur t’u drejtohen autoriteteve të drejtësisë për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit tragjik.

Sipas studios ligjore që përfaqëson familjen, qëllimi është përcaktimi i shkaqeve të sakta që çuan në vdekjen e pilotit, si dhe kërkimi i përgjegjësisë ndaj personave që mund të kenë kontribuar në ngjarjen fatale.

Në njoftimin e bërë publik thuhet se në orët në vijim do të depozitohet një kallëzim penal, në mbështetje të akuzave ndaj të gjithë personave që mund të rezultojnë përgjegjës.

“Nëna dhe motra e pilotit të ndjerë grek të helikopterit Bell, i cili operonte në zonën e Porto Germenos, kanë autorizuar studion tonë ligjore të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore pranë Prokurorisë së Athinës, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave që çuan në vdekjen e padrejtë të djalit dhe vëllait të tyre, Aristotelit, si dhe ndëshkimin e përgjegjësve”, thuhet në deklaratë.

Më tej, studioja ligjore bën të ditur se do të paraqesë një deklaratë në mbështetje të akuzës ndaj çdo personi që, me veprim ose mosveprim, mund të ketë ndikuar në humbjen e jetës së pilotit.

Familja e ka përshkruar pilotin si një profesionist të përkushtuar, i cili u përball me rrezikun dhe luftoi me vetëmohim kundër zjarreve për të mbrojtur jetën e qytetarëve dhe pronat e tyre.