BALLKAN, 5 August 2026, 20:57

83 vite në fund të detit Jon/ Zbulohet anija gjermane e Luftës së Dytë Botërore, e vetmja e llojit të saj në botë (Foto)

Një zbulim i jashtëzakonshëm është bërë në detin Jon, ku 83 vjet pas fundosjes është gjetur pothuajse e paprekur një nga anijet më të rralla luftarake gjermane të Luftës së Dytë Botërore.

Në thellësinë 96 metra është zbuluar “Leichte Schnellboot 6” (LS 6), një motovedetë e lehtë siluruese e marinës gjermane, e ndërtuar prej alumini për të qenë sa më e lehtë dhe e shpejtë. Sipas të dhënave të deritanishme, ajo është e vetmja anije e këtij tipi që është ruajtur në botë.

Kërkimet për gjetjen e saj nisën në vitin 2013, pasi në arkivat ushtarake gjermane u zbuluan të dhëna për një mjet të Kriegsmarine-s që ishte zhdukur në shtator të vitit 1943, në zonën detare mes Lefkadës dhe Prevezës.

Studiuesi i historisë Jorgos Karelas pati një rol kyç në mbledhjen e informacionit dhe koordinimin e kërkimeve shumëvjeçare.

Identiteti i rrënojës u konfirmua nga ekipi AegeanTec gjatë një zhytjeje teknike me sistem frymëmarrjeje me qark të mbyllur. Në errësirën e thellësisë, zhytësit gjetën anijen, e cila qëndron pothuajse në pozicion vertikal mbi shtratin ranor dhe është ruajtur në një gjendje të jashtëzakonshme.

LS 6 ishte dërguar në Greqi së bashku me anijen simotër, LS 5, pas kapitullimit të Italisë, për të marrë pjesë në operacionet ushtarake gjermane në Egje. Më pas ajo u dëmtua rëndë gjatë një sulmi ajror britanik në Igumenicë.

Teksa po tërhiqej drejt Pireut për riparim, trupi prej alumini pësoi dëmtime, duke lejuar depërtimin e ujit në brendësi. Si pasojë, anija u fundos në zonën detare mes Lefkadës dhe Prevezës.

Motorët “Junkers Jumo”, përmasat karakteristike të mjetit dhe kablloja e tërheqjes, ende e lidhur në pjesën e përparme, konfirmuan përfundimisht se bëhej fjalë për LS 6.

Sipas mediave greke, ky konsiderohet një zbulim unik për historinë detare dhe një nga gjetjet më të rëndësishme të viteve të fundit në fundin e detit Jon.