AKTUALITET, 17 Qershor 2022, 14:13

Zbulimi i depos së modifikimit të armëve në Tiranë/ I penduari “udhëzoi” policinë për bazën sekrete, çfarë deklaronte ushtari i Gjergj Cukalit

Zbulimi i depos së modifikimit të armëve në Tiranë/ I

Dëshmia e Enver Jamakut është një nga provat më të vlefshme që Prokuroria jonë ka mundur të përvetësojë viteve të fundit.

I vënë në pranga për një atentat me minë të telekomanduar, që për fatin e shënjestrës nuk u realizua, ai ka treguar fakte tronditëse nga aktiviteti i grupeve kriminale, të cilët vepronin kryesisht në Tiranë. Më shumë sesa për aktivitetin kriminal të një grupi vrasësish me pagesë, dëshmia e Jamakut pati vlerë për faktin që për herë të parë e detyroi Policinë e Shtetit të ndërhynte në strofullat e krimit dhe të zbulonte arsenale armësh që i kishte zili edhe ushtria jonë.

Dëshmia e tij, lënë në duart e prokurorëve para më shumë se një viti, nxori emra dhe fakte, të cilët u gjurmuan dhe u faktuan duke bërë të mundur hyrjen në një tjetër operacion ditën e djeshme dhe për të zbuluar një tjetër bazë armatimi gjithfarësh. Baza u gjend në një vilë, në një nga zonat e denoncuara nga Jamaku që një vit më parë. Po ashtu, edhe artizani i tyre ishte emër i nxjerrë nga dëshmia e ushtarit të Gjergj Cukalit, të fortit të “Myslym Shyrit”, emri i të cilit lakohet, hetohet, gjykohet e del i pafajshëm prej më shumë se dy dekadash.

Policia e Tiranës doli dje dhe bëri me dije detajet e operacionit që zhvilloi në Kodër-Mëzez në një vilë. Thirri mediat dhe u tregoi armët e sekuestruara, ndërkohë që dy personat që merreshin me modifikimin e tyre punonin prej shumë kohësh në ato ambiente lehtësisht të identifikueshme. U tha se një arsenal armësh me pistoleta, kallashnikovë, silenciatorë e municione luftarake u zbuluan nga Policia e Tiranës në një bazë prodhimi dhe modifikimi të armëve kamufluar brenda një vile 3- katëshe në Kodër-Mëzez të Tiranës. Elvis Bakalli, 30 vjeç, dhe Dorian Kalo, 45 vjeç, të konsideruar nga Policia persona me precedentë të theksuar kriminalë, u arrestuan në flagrancë duke punuar brenda punishtes së armëve në banesën në pronësi të Bakallit.

Aty, dy personat e arrestuar prodhonin dhe modifikonin armë, dhe sipas drejtuesit të Policisë së Tiranës ia shisnin me porosi grupeve të tjera kriminale për të kryer vrasje. ‘Në një ambient brenda rrethimit të banesës përshtatur si punishte, u konstatuan makineri si: torno, freza dhe vegla të tjera pune që shërbenin për prodhimin dhe modifikimin e pjesëve/ mekanizmave të armëve të zjarrit, si dhe për prodhimin e silenciatorëve të armëve’, tha Lorenc Paganika, drejtor i Policisë së Tiranës. Në oborrin e saj, Policia gjeti të parkuar një automjet në përdorim nga 30-vjeçari Bakalli. Sipas Policisë, të gjithë aksesorët për modifikimin e armëve dhe silenciatorëve kanë ardhur në Shqipëri në rrugë ilegale, nga jashtë vendit.

Emri i Dorian Kalos nuk është krejtësisht i panjohur për Policinë, pasi në prill të vitit 2021 Enver Jamaku përmendi Dorian Kalon si një nga personat që ka bazë për modifikimin e armëve të llojeve të ndryshme, duke i riparuar dhe duke ndërruar pjesët. Enver Jamaku u arrestua pas tentativës së dështuar për të ekzekutuar me shpërthim tritoli në makinë biznesmenin Gjon Mena në Kamëz, me porosi të Gjergj Cukalit kundrejt 30 mijë eurove, akuza që Cukali i ka mohuar, por aktualisht është i arrestuar dhe në gjykim nga GJKKO. Dëshmia e Jamakut çoi disa persona në pranga dhe zbuloi 19 baza armatimi në Tiranë të vrasësve me pagesë.

Dëshmia e tij më e fortë ishte ajo për ekzekutimin e Domart Konjarit (sot në arrati), për të cilin është shprehur se i kanë dhënë shuma të konsiderueshme parash Flor Abazi, Blendi dhe Paris Deda. Në tetor të vitit 2019, gjithçka ishte organizuar deri në perfeksion, duke u vendosur dy mina me telekomandë në makinë, por pati një ngatërresë. Në makinën e blinduar që shpërtheu, nuk ndodhej Konjari, por burri i motrës së tij, Artion Bylyku, i cili i shpëtoi atentatit.

Baza e armatimit e zbuluar në Kodër-Mëzez i jep shpresë Policisë për zbardhjen e një sërë ngjarjesh kriminale të ndodhura në vend, por edhe jashtë kufijve, të cilat janë pa autorë. Ekspertiza që do t’u bëhet armëve në Institutin e Policisë Shkencore pritet të hedhë dritë nëse janë përdorur apo jo në ngjarje të bujshme kriminale. Të arrestuarit do të përballen me drejtësinë për veprën penale “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve”, kryer në bashkëpunim.

Enver Jamaku i ka deklaruar Prokurorisë se me Cukalin është njohur 5 vjet më parë kur i bleu një makinë: “Kur bleva mjetin dhe e telefonova, ai më tha se ishte Gjergj Cukali dhe unë e njihja përmes mediave sepse kishte probleme me drejtësinë. Më pas jemi takuar herë pas herë përfshirë dhe në varrimin e një personazhi të njohur të botës së krimit. Sa i përket atentatit ndaj Gjon Menës, ku mbeti i plagosur, një ditë dikush më thirri ‘Velo’ dhe ktheva kokën.

Nuk e kuptova pse më thirri kështu, por pashë se po më thërriste Gjergj Cukali. Ai tha se kishte një punë për mua, por fillimisht nuk doja të përfshihesha në aktivitetin e tij kriminal. Më tha se do të më paguante 30 mijë euro nëse do të vija minën me celular në automjetin e një personi, më shpjegoi arsyet dhe vendin ku unë duhet ta vendosja minën. Fillimisht nuk pranova, por më pas duke qenë se jam pa punë dhe pa shtëpi, vendosa ta kryej këtë punë me qëllim që të blej një banesë për veten dhe familje”, tregoi Enver Jamaku në dëshminë e tij për SPAK./Panorama