AKTUALITET, 17 Qershor 2022, 12:29

Abuzim me tenderat në bashkinë e Fierit/ KLSH kërkon shkarkime dhe gjoba për katër drejtorë dhe punonjësit, shkeljet që u gjetën

Abuzim me tenderat në bashkinë e Fierit/ KLSH kërkon shkarkime

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kërkuar nga kryetari i bashkisë së Fierit marrjen e masave për 74 nëpunësve të institucionit që ai drejton mes të cilëve 19 specialistë, 5 përgjegjës sektori, 6 drejtorë, 2 administratorë të njësive administrative dhe 2 administratorë të përgjithshëm.

Sipas KLSH shkeljet janë konstatuar në fushën e zbatimit të kontratave për punime të pakryera për të cilat është bërë pagesa, në fushën e prokurimeve apo edhe për vlerësim të gabuar të ofertave ekonomike nga operatorët ekonomikë pjesëmarrës në procedura.

KLSH ka kërkuar 7 masa për eliminim e efekteve negative të konstatuara në administrimin e fondeve publike dhe për menaxhimin e tyre.

Njoftimi i KLSH:

17 Masa Organizative

12 Masa për Shpërblim Dëmi në vlerën rreth 150 milion lekë, konkretisht:

-Në fushën e zbatimit të kontratave, për punime të pakryera por të paguara;

-Në fushën e prokurimeve, për vlerësim të gabuar të Ofertave Ekonomike nga operatorët ekonomik pjesëmarrës në procedura;

-Në fushën e urbanistikës, kryesisht për përllogaritje të gabuar të taksës së ndikimit në infrastrukturë nga shoqëritë sipërmarrëse, realizuese të invesitimeve me fonde private)

7 Masa për eliminimin e efekteve negative të konstatuara në administrimin e fondeve publike dhe për menaxhimin me ekonomicitet, eficence dhe efektivitet të fondeve publike (3E-të) në vlerën rreth 1.4 miliard lekë, konkretisht:

-Për mos pagesë të taksave të infrastrukturës nga legalizimet informale në vlerën 61 milion lekë; -Për mos llogaritjen dhe arkëtimin e taksave në vlerën 120 milion lekë;

-Për mos llogaritje dhe vjeljen e gjobave nga Inspektorati Ndërtimor dhe Urbanistikë në vlerën 26 milion lekë;

-Për mosllogaritje të takës për zënie të hapësirave publike në vlerën 44 milion lekë;

-Në fushën e prokurimeve publike për vlerësim të gabuar të ofertave ekonomike nga operatorët pjesëmarrës në procedura në vlerën 1.300 miliard lekë )

Masa Disiplinore

Për personat përgjegjës, KLSH ka kërkuar nga Kryetari i Bashkisë Fier që në vlerësim të shkeljeve të konsideruara të urdhërojë Komisionin Disiplinor  për fillimin e procedurave përkatëse për shqyrtimin dhe dhënien e masave disiplinore në zbatim të ligjit. nr. 152/2013, datë 30.05.2013, “Për nëpunësin civil”, të marrë masa nga “mbajtja deri në 1/3 e pagës së plotë për një periudhë deri në gjashtë muaj” apo “pezullim nga e drejta e ngritjes në detyrë, përfshirë rritjen në shkallën e pagës për një periudhë deri në dy vjet”; deri në, “Largim nga shërbimi civil”, dhe konkretisht:

2  Administrator të Përgjithshëm

2  Administrator të Njësive Administrative

6  Drejtorë Drejtorie në aparatin e bashkisë dhe institucionet e varësisë

5  Përgjegjës Sektori

19 Specialistë

40 Punonjës të bashkisë në cilësinë e anëtarëve të njësisë të hartimit të dokumenteve të tenderit dhe anëtarë të komisionit të vlerësimit të ofertave.