TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Vitet 2021- 2022 kanë shënuar valën më të lartë të largimeve të banorëve të Bashkisë së Kukësit.
Në Kukës qarkullon një proverb, që “je familje kuksiane, nëse ke të paktën një anëtar jashtë shtetit”.
Indrit Cara, aktivist i shoqërisë civile me përvojë në sektorin e mikrofinancës, thotë se emigracioni ka shkaktuar dobësim të tregut si pasojë e rënies së numrit të popullsisë.
Emigracioni ka çuar në mbylljen e shumë aktiviteteve të vogla blegtorale-bujqësore në fshat, në rënien e kërkesës për kredi dhe rënien e qarkullimit në bizneset e qytetit.
A ka një shpërndarje të drejtë të burimeve financiare nga qeveria qendrore në drejtim të qarqeve të vendit?
Qeveria ka rolin kushtetues dhe ligjor të bëjë miradministrimin e burimeve financiare dhe shpërndarjen e drejtë përkatësisht të qarqeve, së paku në përpjesëtim me nevojën reale ekonomike dhe së shumti, në bazë të një politike favorizuese ndaj atyre që kanë nevojë për më tepër vëmendje e angazhim.
Do ta perifrazoja këtë çështje me shembullin e trupit njerëzor. I gjithë organizmi vihet në shërbim të një pjese ku “dhemb” ose “sëmuret”, sikundër efekti ndihet në gjithë trupin. Nuk ka ekonomi të shëndoshë të një vendi, nëse nuk ka zhvillim dhe rritje në çdo zonë të tij.
Të dhënat zyrtare mbi PBB-në e rajoneve tregojnë për një rritje të pabarabartë të ekonomisë qarqeve gjatë 10-vjeçarit të fundit, sidomos atyre të Veriut. Nga viti 2014 deri në vitin 2020, ekonomia e Kukësit ka rënë me 11%, ndërsa ekonomia kombëtare është zgjeruar me 13.7%.
Cilat janë arsyet sipas jush?
Nga viti 2014 deri në vitin 2020, ekonomia e Kukësit ra ndjeshëm me 11%, gjë që është tregues i qartë i një luhatje (shok) të frikshme. Arsyet madhore lidhen me faktorë politikë, socialë, ekonomikë dhe demografikë. Lëvizjet e shumta të migrimit të brendshëm e të jashtëm, ku shënohen dhe raste të mbylljes së bizneseve, në kërkim të një “shprese sociale” dhe “perspektive më të mirë për fëmijët”.
Në këto vite, ishte dhe vala e emigrimit masiv në Gjermani, ku pothuajse të gjithë ishin emigrime familjare, të cilët gjetën strehim të përkohshëm dhe pakkush përfitoi punësim. Ishte një eksperiment me pasoja të rënda dhe ndikim të gjatë në gjendjen e tyre ekonomiko-sociale.
Rikthimi i detyruar nga mospërfitimi i statusit të azilantit, solli rikompozim të vendit dhe marrëdhënies së punës, ku shpeshherë nuk e gjetën më ose jo siç e kishin më parë.
Si ka ndikuar reforma territoriale dhe qeverisja e pushtetit vendor gjatë këtyre viteve, në zhvillimin ekonomik të qarqeve?
Reforma territoriale, siç është emërtimi i saj, mbeti në kuadrin e “riformimit territorial”, rindarje administrative-territoriale. Gjykoj që nuk solli asnjë efekt në menaxhimin vendor, në drejtim të zhvillimit ekonomik të zonës. Thjesht mbeti një ndryshim praktike menaxhimi, hera-herës pa mbulim të mirë të ofrimit të shërbimeve të barabarta në territore të veçanta.
Si kanë ndikuar zhvillimet demografike në disbalancat e zhvillimit ndërmjet rajoneve të vendit. Kohët e fundit ka një valë të re emigrimi nga Kukësi. Cilat janë arsyet?
Vitet 2021 – 2022 kanë shënuar valën më të lartë të largimeve të banoreve të Bashkisë së Kukësit. Në Kukës qarkullon një proverb, që “je familje kuksiane, nëse ke të paktën një anëtar jashtë shtetit”.
Realisht besoj që nuk ka një statistikë të saktë të numrit të ikjeve dhe banorëve faktikë të zonës, pasi fatkeqësisht është proces i vazhdueshëm.
Cilat janë kostot dhe përfitimet që i vijnë qarkut nga emigracioni?
Dobësimi i tregut si pasojë e rënies së numrit të popullsisë, mbyllja e shumë aktiviteteve të vogla blegtorale-bujqësore në fshat, rënia e kërkesës për kredi, mungesa e fuqisë punëtore për bizneset e shërbimeve.
Kam vënë re që vetëm emigrimet për punësim sezonal (3–6-mujor) në Europë, kanë pasur kthyeshmëri në investime të lehta në zonë, si për shembull, rinovim banese apo blerje apartamenti. Emigrimi i përhershëm nuk ka sjellë asnjë investim mbrapsht, vetëm remitanca të pakta për konsum të familjarëve të tyre dhe aspak rikthimin e tyre për banim në Kukës.
Qarku i Kukësit ka burime natyrore (HEC-et, Minierat etj.), të cilat shfrytëzohen, ndërkohë që komuniteti nuk përfiton. Çfarë duhet të përmirësohet nga politikat në rang qendror dhe lokal që të rriten përfitimet?
Rrethi i Kukësit, në fillimet e rënies së komunizmit, ka arritur të prodhojë 18% të PBB kombëtare. Pasuritë e shumta që ka si bashki dhe qark janë të natyrës hidrike, nëntokësore dhe historike. Çështjet ekonomike të zonës, do të zgjidheshin me dhënien e “rentës hidrike” banorëve të qarkut, nëpërmjet një ligji të posaçëm, për ta administruar lokalisht, kjo do të sillte zhvillimin e sigurt dhe përfundimtar.
Së dyti, rirregullimi i taksave dhe “rentës minerare” me qëllim në investim konkret, kontrolli i saktë i organeve shtetërore mbi rehabilitimin e territorit, kryerjen e investimeve në ruajtje të mjedisit, nga ana e kompanive që kryejnë aktivitet minerar, sikundër punësimi i sigurt dhe me kushte bashkëkohore të stafit të punësuar.
Së fundmi, përvoja që pati ekonomia e Kukësit, kur kishim Filialin e Universitetit të Tiranës (mbyllur në vitin 2014) ishte mbresëlënëse.
Pati popullim, lëvizje në drejtim të Kukësit, rigjallërim të bizneseve, shtim të shërbimeve, përfitim nga dhënia me qira e banesave, punësim të shtuar dhe shprese sociale. Aeroporti i Kukësit do të rriste emrin dhe imazhin, ndërsa nisma si Filiali i Universitetit sjell zhvillim njerëzor, profesional, ekonomik dhe social.
Nevojiten sigurisht dhe nisma konkrete për punësimin e të rinjve, grante për biznese startup, nisma për zhvillimin e turizmit, rritje të pagave për të punësuarit, si dhe çdo politikë që në qendër do të ketë qytetarin dhe qytetin verilindor./Monitor