AKTUALITET, 27 Nëntor 2025, 14:05

U dorëzuan në polici pas 12 orësh të ngujuar në banesën e braktisur, Gjykata lë në burg Erzen Ukën dhe Julian Cumrakun

U dorëzuan në polici pas 12 orësh të ngujuar në

Gjykata e shkallës së parë në Shkodër ka lënë sot në burg të dyshuarit për terrorizëm Erzen Uka dhe Julian Cumraku.

Në orën 13:00 u mbajt seanca sa i përket caktimit të masë së sigurisë ndaj tyre, ndërkohë që togat e zeza i lanë në burg.

Kujtojmë se gjatë 12 orëve në rrethim, Erzen Uka dhe Julian Cumraku u mbyllën në banesë dhe reaguan me armë ndaj punonjësve të RENEA-s duke u rrezikuar jetën.

Blutë informuan se rreth orës 09:00, konstatuan një person i cili, sapo ka parë shërbimet e Policisë, është larguar me shpejtësi duke u futur brenda në një banesë të braktisur, pronë e shtetasit me iniciale P. C. (Gjyshi i Julian Cumrakut).

Ky person raportohet se nuk iu është bindur thirrjes për të dalë nga banesa duke kërcënuar efektivët, ndërsa në përforcim kanë shkuar Forcat Speciale Renea, ndaj të cilëve nga brenda banesës është qëlluar me armë zjarri.

julian cumraku
Erzen Uka dhe Julian Cumraku

Në murin e shtëpisë shihet i varur një flamur i Organizatës Terroriste “Shteti Islamik” (ISIS), krahas 4 automatikëve dhe një pistolete, që u sekuestruan nga policia.

Gjithashtu brenda banesës u gjetën 17 granata dore difensive, municion luftarak, kapsolla detonatore elektrike për shpërthimin e lëndëve eksplozive, fitil zjarrpërcjellës që përdoret për shpërthimin e lëndëve plasëse, dy gëzhoja.

Erzen Uka, 35 vjeç, lindur në Gjorm-Kurbin, rezulton i dënuar për veprën penale “Nxitja e urrejtjes dhe grindjeve”.

Ndërsa Julian Cumraku, 34 vjeç, lindur në Pukë, i dënuar për veprat penale “Vjedhje” dhe “Kanosje”.

Cumraku dhe Uka ishin prej kohësh nën vëzhgimin e Antiterrorit, teksa Erzen Uka, një ish-pjesëtar i forcave paqeruajtëse të Shqipërisë në Irak, ishte dënuar me tre vite heqje lirie nën akuzën e urrejtjes fetare.

Në vitin 2015, Uka u arrestua si i dyshuar për përgatitjen e fëmijëve dhe të rinjve për t’u bashkuar me ISIS, akuzë që aso kohe solli përplasje të forta mes Ukës dhe gjyqtarit Bibë Ndreca.

Dy personat, ndonëse rrallë ishin parë në rrugët e fshatit, nuk kishin shkaktuar probleme. Madje, ata kishin frekuentuar edhe xhaminë e fshatit Kryezi, në të cilën nuk ofrohen shërbesa të rregullta për shkak të mungesës së personelit fetar.