TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Eksperti i ekonomisë, Pano Soko, është shprehur se turistëve që kanë vizituar Shqipërinë kanë ardhur “me bukë me vete” dhe sipas tij, rritja e hyrjeve nuk reflektohet te importet.
Komentet Soko i bëri në emisionin “Open” në News 24, ku tha se mes numrave rekord që janë publikuar, ka edhe njerëz që kalojnë tranzit në Shqipëri, turistë 24-orësh.
“Ne kemi 7.2 milionë hyrje që konsiderohen si turistë. Ka edhe njerëz që kalojnë transit në Shqipëri nga këta. Porti mund të punojë si transit. Nga aty ikin drejt Kosovës ose Maqedonisë. Ka turistë 24 orësh, ose janë kroçerat e rajonit që sjellin turistë për tri orë dhe largohen.
Nëse analizojmë të dhënat e importit për gushtin, ku pret që të reflektohet 25% rritje, por importet në gusht kanë mbetur njëlloj. Pra këta turistë kanë ardhur me bukë me vete, se duhet të reflektohej. Duke qenë se nuk e shoh të reflektuar ardhjen e turistëve me rritjen e importeve, unë them se ka një problem me këto shifra”, tha Soko.
Nga ana tjetër gazetari Auron Tare u shpreh se rritja e turizmit nuk ka sjellë ndonjë rritje të madhe në ekonominë shqiptare, pasi sipas tij, vizitorët kanë qenë “low cost” dhe jo turizëm elitar.
Ai shtoi se rritje të numrit të turistëve kishte në gjithë botën, për shkak të ç’lirimit nga kufizimet e Covid 19.
“Shqipëria këtë vit duhet futur në kontekstin rajonal dhe botëror, edhe vendet e tjera kanë rritje të lartë turizmi. Kjo vjen për shkak të vakumit të lëvizjes që u krijua nga pandemia dhe njerëzit kanë pasur etje për udhëtimin. Megjithatë hyrja e turistëve në vend ka qenë gjë pozitive.
Turisti që ka ardhur në përgjithësi ka qenë turist “low cost”. Ky nuk ka sjellë në ekonominë shqiptare ndonjë rritje të madhe. Ka një fenomen ku shumë nomadë digjitalë kanë qëndruar në jug të vendit duke punuar online për shkak të jetës së lirë në krahasim me vendet nga vijnë.
Shqipëria nuk ka një përgatitje ose ide të qartë se çfarë turizmi do të bëjë në vend. Shqipëria nuk bën dot turizëm elitar për shkak të shpartallimit të vijës bregdetare. Ne po krijojmë disa oaze ose fshatra përgjatë vijës bregdetare që s’kanë lidhje me markën shqiptare”, u shpreh Tare.