AKTUALITET, 18 Mars 2023, 10:12

Qelizat e telefonit dhe kamerat tradhtuan vrasësit e Ari Papës, ekzekutori fshihet në Shqipëri

Qelizat e telefonit dhe kamerat tradhtuan vrasësit e Ari Papës,

Të tjera detaje janë zbuluar nga operacioni i policisë greke që zbuloi pas dy vite hetimesh bashkëpunëtorët në vrasjen e 32-vjeçarit nga Saranda, Ari Papa. Ky i fundit, një emër i njohur i drejtësisë greke, i përfshirë në disa ngjarje si trafik droge, grabitje dhe i dyshuar për vrasje, u ekzekutua teksa pinte kafe në një lokal në Sepolia të Athinës në 30 maj 2021, pasi më parë kishin dështuar tre atentate ndaj tij në vitet 2007, 2009, 2021. Në prangat e policisë ka përfunduar taksisti shqiptar i skeduar me tre emra, Xhulian, Ervin dhe Beniamin. Në skedat e policisë greke ai ka edhe 3 mbiemra të ndryshëm dhe dy vitlindje, 1974 dhe 1977, ndërkohë që rezulton me precedentë për trafik klandestinësh. Ndërkohë në pranga ka rënë greku S.F, 56 vjeç.

Këta të dy dyshohet se janë transportuesit e ekzekutorit kryesor, ende i paidentifikuar, por që ka dyshime se erdhi posaçërisht nga Tirana për të kryer vrasjen dhe është rikthyer sërish në Shqipëri. Sipas mediave greke menjëherë pas të shtënave, autori është arratisur në këmbë drejt rrugëve “Panourgias” dhe “Avlonos”, ku e priste bashkëpunëtori i tij me një taksi. Mjeti ka lëvizur përballë rrugës nacionale “Athinë-Lamia”. Nga hetimet ka rezultuar se për ekzekutimin janë përdorur dy taksi. Njëra është ajo që drejtohej nga një prej bashkëpunëtorëve, ku hipi edhe personi i armatosur, ndërsa taksia e dytë drejtohej nga bashkëpunëtori tjetër. Ajo që i “tradhtoi” ata përveç kamerave të sigurisë janë antenat e celularëve pasi duket se kanë komunikuar me njëri-tjetrin teksa ndodheshin pranë vendit të sulmit, pak para dhe pak pas ekzekutimit.

Ari Kosta Papa, i datëlindjes 02.10.1989, nga fshati Dhivër i Sarandës, nuk rezulton të ketë fotografi as në regjistrin e gjendjes civile të Sarandës e Finiqit, por as në sistemin TIMS. Në Shqipëri ai është një “fantazmë”. Megjithatë në Greqi, Ari Papa është një person me background të pasur kriminal. Ai ishte i skeduar për trafik droge dhe grabitje, por ajo që e ngarkonte më tepër historinë e tij ishte tentativa për ta eliminuar fizikisht, edhe jo njëherë, por tre herë, aq sa ai lëvizte rrugëve të Athinës me anti-plumb. Herën e katërt, ata që e deshën të vdekur, ia arritën qëllimit. Pak minuta para se ora të shënonte 18.00, 32-vjecari nga Saranda u qëllua pas shpine 8 herë me pistoletë, teksa pinte kafe në bar “Kayak” në rrugën “Dyrrahu 30” në Sepolia.

ATENTATET NDAJ PAPËS
20.07.2007 kryhet atentati i parë ndaj Ari Papës. Ai u qëllua me armë në kryqëzimin e rrugëve “Liosion” dhe “Sozopoleus” në Athinë. Papa mbeti i plagosur së bashku me shtetasin e huaj Georgio Tarnovalinski. Për policinë greke, sarandjoti Papa është i skeduar në këtë ngjarje si Aristidi Pappa.

26.05.2019 Ari Papa qëllohet rreth orës 20.40 me pistoletë në kofshë në vendin e quajtur “Stacioni Larisit”. U transportua menjëherë në spitalin “Georgios Gennimatas”, ku mori ndihmën e parë dhe shpëtoi nga rreziku për jetën. Gjatë kontrollit policia i gjeti në trup një sasi të vogël marijuane.

Në “Stacionin e Larisit” rreth orës 20.00 kur Ari Papa ndodhej midis rrugëve “Mixail Boda” dhe “Agorakritou”, u qëllua me armë zjarri nga pasagjerët e një taksie. Papa mori dy plagë dhe u transportua me urgjencë drejt spitalit ku sërish i shpëtoi vdekjes. Atentatorët u larguan duke kërcënuar shoferin e taksisë, por më pas e braktisën mjetin së bashku me dy pistoleta dhe sende të tjera. Papa tha për policinë se ndodhej në vendin e ngjarjes së bashku me dy shokë të tij të quajtur Orlando dhe Ani, të cilët jo vetëm që u larguan me vrap pas ngjarjes, por as e kontaktuan më pas për ta pyetur për shëndetin. Megjithatë policia përfundoi hetimet për ngjarjen duke arrestuar 7 persona dhe shpallur 1 në kërkim për trafik droge dhe akuza të tjera, 3 prej të cilëve rezultuan se kishin rol aktiv edhe në atentatin ndaj Papës. Media greke pa u thelluar zbuloi se 3 të dyshuarit për atentatin ndaj Papës ishin shqiptarët “Mili” 38 vjeç (nën arrest), “Dorian” 32 vjeç (në kërkim) dhe “Landi” 30 vjeç (nën arrest). “Mili”, një shqiptar i rrezikshëm ishte i përfshirë dhe një ngjarjen e 20 dhjetorit 2020 ku policia greke gjeti një Kallashnikov në një makinë në Kipseli.

Një ditë para kësaj ngjarje, pikërisht në 25 shkurt 2021, Papa ishte arrestuar nga policia greke në qendër të Athinës duke udhëtuar mbi një patinë elektronike. Ai mbante veshur një anti-plumb, ndërsa në brez kishte një pistoletë turke të llojit Baikal. Çuditërisht policia e la të lirë.

Në 19 mars 2019, në gjyqin ndaj shqiptarit Klodian Lekocaj, një gardian grek ka zbuluar një tjetër tentativë të dështuar për të vrarë Ari Papën. Antonis Aravantinou deklaroi: “Më kujtohet një kohë në mesin e vitit 2017, kur në komunitetin e të burgosurve dhe te psikiatrisë u bë më e njohur se Lekocaj kishte njëfarë lidhje me Floro (biznesmeni grek Aristides Floros), gjë që ishte arsyeja që Floro të qëndronte në një institucion psikiatrik.
Gjatë asaj kohe më telefonoi Lekocaj dhe duke konfirmuar përfshirjen, më kërkoi shpjegim se pse Floro qëndron në spitalin psikiatrik dhe unë nuk e dëboj, përkundrazi e mbroj atje, për pasojë ai nuk mund ta shantazhonte dhe t’i merrte paratë e tij. Dhe sipas tij duhet ta bëja patjetër këtë. Unë i thashë “hej, e ke filluar sërish të njëjtën gjë?”, “të njëjtën gjë që thoje për A. P ”? Ia thashë këtë, sepse disa kohë më parë më kishte marrë sërish në telefon dhe më kishte thënë që ta nxirrja nga spitali psikiatrik këtë të burgosur, se atje kam mësuar t’i mbrojë dhe ai nuk mund ta vriste atje.

Dhe nëse nuk e nxjerr jashtë, ai do të detyrohet të vrasë nënën e tij dhe ky do të jetë faji im. Të dyja herët, është e vërtetë, biseda jonë përfundoi me sharje nga të dyja palët, me refrenin e vazhdueshëm të Lekocajt: “Unë për hatrin tënd them kështu”. Më 1 qershor 2021, “Ta Nea” zbuloi se A. P për të cilin Lekocaj kërcënonte gardianin se nëse nuk e nxirrte nga psikiatria që ai ta vriste, se ndryshe do detyrohej t’i vriste nënën, ishte pikërisht Ari Papa.