TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Është liruar nga burgu një nga autorët e dyshuar të grabitjes nën kërcëimin e armës të noterit Thoma Kaçi në Sarandë.
Vendimi i Gjykatës së Sarandë për lirimin e 52-vjeçarit Elis Avduli është dhënë me datën 16 shkurt, por është bërë publik rreth 1 muaj më vonë.
Elis Avdulit, i cili akuzohet për “vjedhje me armë” në bashkëpunim, iu është ndryshuar masa e sigurisë nga “Arrest në burg” në “detyrim paraqitje” për shkak se i kanë përfunduar afatet e paraburgimit.
Prokurori i çështjes ka kërkuar të dërgojë çështjen për gjykim duke e dorëzuar në Gjykatë.
Por pas disa seancash, në 15 shkurt të këtij viti, gjyqtari paraprak ka refuzuar duke deklaruar të pavlefshëm aktin procedurial të prokurorit Ilir Hoxha “Kërkesë për dërgimin në gjyq të çështjes”, të Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë për procedimin penal nr. 687, të vitit 2021, pasi sipas gjyqtarit “është nxjerrë në kundërshtim me nenet 327 dhe 331/2 të Kodit të Procedurës Penale” duke urdhëruar kështu kthimin e akteve Prokurorisë.
Në të njëjtën ditë, Elis Avduli përmes dy avokatëve të tij Ermir Beta dhe Armando Cakrani ka bërë kërkesë në gjykatë për shuarje të masë së sigurimit “Arrest në burg”, e cila u shqyrtua një ditë më pas, më 16 shkurt.
Shkak i kërkesës ishte tejkalimi i afatit 12 mujor që një i paraburgosur mund të mbahet si i tillë për krime që dënohen në maksimum jo më pak se dhjetë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm, pa u dorëzuar aktet në gjykatë.
Elis Avduli ndodhej në qeli prej 5 nëntorit 2021, kur ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”.
Mengjesin e 20 tetorit 2021, dy persona i zunë pritë Thoma e Martha Kaçit teksa ata po merrnin ashensorin për të dalë nga banesa në lagjen nr.4 të Sarandës.
Nën kercenimin e një kallashnikovit, grabitësit i futën brenda banesës së tyre çiftin e bashkëshortëve, i lidhen dhe u larguan duke i marrë një shumë prej 13.500 euro dhe rreth 5.3 milionë lekë të vjetra, si edhe çelësat e dy automjeteve.
Në deshminë e tij, noteri Kaëi tha se fillimisht njëri prej autorëve i tha se kishte urdhër per ta vrarë por nëse do i jepte para, do e falte.
Në 3 nëntor 2021 policia e Sarandës organizoi operacionin “Butrinti” ku arrestoi 3 autorët e dyshuar Elis Avduli nga Konispoli, Oltjon Kolonjën, nga Kruja por me banim në Sarandë dhe Vladrias Himaj, nga Berati por me banim në Sarandë.
Në 19 maj 2022, në prangat e policisë së Sarandës ranë edhe dy shtetasit Samet Brahimi 34-vjeç nga Shkodra dhe Ilia Mata, 29-vjeç nga Tirana. Samet Brahimi u arrestua tek kryqezimi i Laprakës në Tiranë teksa udhetonte bashkë me një shok në një automjet “Wolsvagen” ku u gjet edhe një armë zjarri kallashnikov.
Por Oltjon Kolonja dhe Vladrias Himaj u liruan nga Gjykata e Sarandës për mungesë provash, ndërsa në përfundim të hetimeve edhe Prokurori kërkoi pushimin e çështjes ndaj tyre duke dorëzuar në gjykatë dosjen për gjykim vetëm ndaj Elis Avdulit, Samet Brahimit e Ilia Matës.
Samet Brahimi akuzohet për “vjedhja me armë”, kryer në bashkëpunim, në dëm të familjes Kaçi, “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Ilia Mata akuzohet për “vjedhja me armë”, kryer në bashkëpunim, në dëm të familjes Kaçi, “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në ambiente publike.
Ndërsa Elis Avduli akuzohet për “vjedhja me armë”, kryer në bashkëpunim, në dëm të familjes Kaçi.