AKTUALITET, 6 Dhjetor 2023, 14:39

Pr/ligji për komisionet hetimore, Paloka: PS po ia heq këtë të drejtë edhe Parlamentit

Pr/ligji për komisionet hetimore, Paloka: PS po ia heq këtë

Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka deklaroi se ligji i ri i propozuar nga socialistët për komisionet hetimore e bën praktikisht të pamundur që Parlamenti të ushtrojë kontroll mbi qeverinë.

Ai tha se tashmë çdo pushtet është në dorë të Ramës.

“Ajo që ndodh në Parlament është një nga mënyrat e mosbindjes civile dhe kjo është tashmë e njohur edhe ndërkombëtarisht. Të drejtat e opozitës janë eliminuar dhe me ligjin që Rama paraqiti së fundmi nëpërmjet Felajt në Parlament, praktikisht e drejta e opozitës por edhe e Parlamentit për të kontrolluar qeverinë, kjo e drejtë eliminohet totalisht me ligjin që kanë paraqitur dhe ka vetëm një synim, heqja e çdo mundësie për një hetim të kryemafiozit Edi Rama, i cili nuk preket nga drejtësia. Duke ia hequr këtë të drejtë edhe Parlamentit, Rama është i pahetueshëm në Shqipëri.

Rezultati që mosbindja civile ka në Parlament, detyrimisht do të reflektohet edhe në rrugë. Jo vetëm protesta dhe forma të të gjitha llojeve të mos bindjes civile, të cilat do t’i merrni vesh në kohën e duhur sepse nuk kemi ndërmend t’i japim Ramës mundësinë e “mbrojtjes”. Greva e urisë është një nga propozimet për situatën në Parlament por ajo që ndodh në Shqipëri jemi praktikisht në diktaturë, jo si ajo e Enver Hoxhës, por aty afër. E vetmja liri që kanë sot shqiptarët është liria për të ikur”, tha Paloka.