AKTUALITET, 9 Gusht 2022, 12:52

Partia e Lirisë: Punonjës të inceneratorëve po vijnë te ne dhe po bëjnë denoncime, ja çfarë do të publikojmë në shtator

Partia e Lirisë: Punonjës të inceneratorëve po vijnë te

Koordinatorja Kombëtare e Luftës kundër Korrupsionit në Partinë e Lirisë, Brisida Shehaj, gjatë një konference për shtyp në krah të kryetarit të kësaj force politike, Ilir Meta, zbuloi se Partia e Lirisë ka ende dokumentacion në lidhje me aferën e inceneratorëve të cilin po e heton dhe do ta bëjë publik në vijim.

Sipas saj edhe staf i inceneratorëve është vetëofruar në këtë forcë politike dhe ka denoncuar aferën galopante të inceneratorëve

“Pjese e dërgimit të parave jashtë vendit vazhdon. Ne kemi dokumentacion. Tek ne po vijnë dhe ish-staf i inceneratorëve të cilët po bëjnë denoncime. Në fillim të shtatorit do të bëjmë publike sa janë paratë që kanë kaluar jashtë shteti, sa janë pagesat që janë bërë dhe sa janë kreditë e marra në banka në të gjitha kompanitë. Ju garantoj se është zero lekë investim nga kompania mëmë deri më sot”, tha ajo.

Ndërkohë kryetari i PL, Ilir Meta tha se hetimet për këtë çështje vijojnë me hapin e breshkës, ndërkohë që vjedhja vijon me hapin e kangurit.

“Të jeni të sigurt se që kur ka nisur denoncimi i kësaj afere edhe nga ish-LSI, sot Partia e lirisë, edhe nga unë si President, ne kemi dalë gjithmonë me fakte, me firma dhe numra llogarie. Hetimet kanë ecur me hapin e breshkës ndërkohë që vjedhja vazhdon me hapin e kangurit.

Ne po bëjmë një hetim të jashtëzakonshëm, por të gjitha faktet që u dhanë sot, është e rëndësishme që opinion publik të përqendrohet aty”, tha Meta.