AKTUALITET, 17 Qershor 2022, 14:47

“Nuk duhet të presim më”/ Komisioneri Varhelyi: Mbajtja e Konferencës së parë Ndërqeveritare për Shqipërinë është çështje ditësh

“Nuk duhet të presim më”/ Komisioneri Varhelyi: Mbajtja e

Komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhelyi ka deklaruar se mbajtja e Konferencës së Parë Ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është vetëm çështje ditësh.

Në një konferencë për mediat sëbashku me Presidenten e KE-së, Ursula Von der Leyen, Varhelyi u shpreh se nuk duhet të presim më për çështje të brendshme politike të Bullgarisë.

“Sigurisht që ne shpresojmë, që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të kenë konferencën e tyre të parë ndërqeveritare në momentin që flasim dhe që ne nuk do të na duhet të presim më për arsye të brendshme politike në Bullgari. Dhe mbetem me shumë shpresë, që ne po flasim për çështje ditësh, sesa çështje muajsh, apo vitesh”, tha Komisioneri.

Ndër të tjera, Oliver Varhelyi ka bërë të qartë edhe qëndrimin ndaj ngërçit aktual midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë për çështje historike, të identitetit dhe të gjuhës, që mban peng aprovimin e kuadrit negociues për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në Këshillit e ministrave të Bashkimit Europian.

“Nuk jam në dijeni të asnjë kuadri negociues. Ne kemi dijeni vetëm për një ngërç total (bllokim total) në Sofje. Nuk jam i kënaqur me këtë, pasi unë kam shpenzuar çdo të martë të dytë të muajve për të shkuar në Bullgari të mësoja nëse kishte një rrugë zhbllokimi. Duket se politikat e brendshme janë të afta për të testuar besueshmërinë e Bashkimit Europian. Pra, aktualisht nuk besoj, se mund të flasim për asnjë kuadër negocues”, u shpreh Varhelyi.