AKTUALITET, 10 Qershor 2024, 22:47

“Nuk duhej kandiduar nga opozita”, Artan Hoxha: Beleri, tashmë është një gozhdë e ngulur mirë te Shqipëria

“Nuk duhej kandiduar nga opozita”, Artan Hoxha: Beleri, tashmë

Gazetari investigativ Artan Hoxha tha në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV se kandidimi i Belerit ishte një gabim i opozitës në vitin 2023, sepse ai ishte dënuar edhe më parë për disa ngjarje, si ajo e Peshkëpisë dhe dhunimi i simboleve kombëtare në 2003. Hoxha tha se Fredi Beleri, tashmë është një gozhdë e ngulur mirë te Shqipëria, dhe Shqipëria do ta ketë aty, sepse është përdorur për luftë të brendshme në Shqipëri, por edhe në Greqi midis opozitës dhe mazhorancës greke.

“Rasti Beleri është më i pastri në Shqipëri. Unë nuk e di si mund të kandidonte Beleri në 2019 që u ndalua, u pengua kandidimi i tij. Është një njeri i dënuar me vendim formës prerë. Dënimi i tij për ngjarjet e vitit 2003, ka shkuar deri në Strasburg dhe e ka dënuar Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, duke lënë në fuqi vendimin që ka dhënë Gjykata e Vlorës.

Pra, kjo drejtësia jonë, siç është shumë që ne e bëjmë paçavure, ka dhënë një vendim të drejtë. Edhe Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka thënë se ky vendim është i drejtë. Beleri u dënua.

Thjesht, Beleri u arratis në Shqipëri dhe nuk u nënshtrua atij vendimi.

Kur ai vendim u parashkrua, Beleri u kthye në Shqipëri.

Nuk mund të kandidosh një kandidat i një nivel të tillë, i cili është dënuar për dhunim të simboleve kombëtare ose diçka tjetër. Një njeri i arrestuar që u dënua në Greqi për armëmbajtje dhe që ka bërë edhe burg atje. Një njeri i dënuar në Shqipëri për dhunim dhe cënim të simboleve kombëtare, ndërkohë ka një dënim nga shkalla e parë për vjedhjen e votave në procesin zgjedhor, ndërsa nga ana tjetër ka qenë i hetuar për masakrën e Peshkëpisë një ngjarje që ne e dimë, ja ku e ke të flasë ish-prokurori. Një çështje që Greqia nuk na solli asnjë letër, asnjë fije letër. Ne kemi dy dëshmorë të atdheut dhe nga ana tjetër kemi një eurodeputet në burgun e Fierit.

Fredi Beleri, tashmë është një gozhdë e ngulur mirë te Shqipëria, dhe Shqipëria do ta ketë aty. Ne e bëmë gabimin që në momentin e parë, kur e mbështeti opozita për luftën e brendshme, sepse Beleri është përdorur për luftë të brendshme në Shqipëri. Është përdorur për betejë mes Greqisë dhe Shqipërisë, madje edhe për luftë të brendshme në Greqi midis opozitës dhe mazhorancës greke.

Ndërkohë, Shqipëria tani do të merret gjithë kohën deri sa të vazhdojë kjo histori, sepse ka thashë ne kemi një eurodeputet në burgun e Fierit. E kupton tani si ka katandisur kjo histori?”-tha Hoxha.