AKTUALITET, 20 Mars 2023, 22:10

“Nuk duan t’ju prishim qetësinë e kënetës së korrupsionit!”/ Arlind Qori tregon pse establishmenti ka frikë nga “Lëvizja Bashkë”

“Nuk duan t’ju prishim qetësinë e kënetës

Arlind Qori, kryetar i “Lëvizja Bashkë”, i cili pritet të jetë kandidat i pavarur për kryetar të Bashkisë së Tiranës, pasi partia që drejton nuk u lejua të kandidojë në zgjedhjet lokale, ishte i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ku tregoi përse establishmenti në Shqipëri ka frikë nga kjo parti e re.

Sipas Qorit, të rinjtë me ideale, shihen me frikë nga establishment politike dhe ekonomik, pasi qëllimi i tyre është pikërisht largimi i elitës së korruptuar.

Pjesë nga biseda: 

Arlind Qori: Kundërshtarët tanë e kuptojnë sa të rrezikshëm jemi ne për ta, për ata që kanë 30 vjet që vjedhin në kurriz të popullit shqiptar. Këtu fus qeverinë, establishmentin partiak, oligarkinë ekonomike. Ata e dinë që “Lëvizja Bashkë” është parti atipike, e përbërë nga njerëz të rinj, të ndershëm dhe të devotshëm që besojnë në idealet e tyre.  Në këtë sens, ata nuk duan rivalë. Qeveria, në rradhë të parë.

Nuk duan të prishin qetësinë e kënetës së tyre, paktet e fshehta që ju mundësojnë të lundrojnë mbi ujin e qelbur të korrupsionit.

Ata kanë frikë nga e reja, nga seriozja, nga njerëz që kanë ideale. Ata kanë frikë nga njerëz të pakorruptueshëm dhe të pakompromentueshëm.

Ylli Rakipi: Ku e gjeni guximin të kandidoni në një xhungël të tillë?

Arlind Qori: Më kujtohet një kolegu im, që më thoshte që ju jeni të rrezikshëm për ustallarët e korrupsionit, sepse në kuzhinën e korrupsionit, partitë duan të zëvendësojnë kuzhinierin, kurse ju doni të mbyllni derën e kuzhinës.

Hapi ynë është hap i guximshëm, por shkon në sinkron me interesat e shumicës.

Njerëzit kanë nevojë për ndryshim, mund të jenë të lodhur, por janë e kundërta e institucioneve. E shoh, sepse kemi dalë të mbledhim firma për kandidimin tim për Bashkinë e Tiranës.