AKTUALITET, 20 Mars 2023, 21:10

Fevziu: Mazhoranca mjaft e konsumuar, ka krijuar stabilitet të frikshëm! Shkodrën nuk e fiton dot…

Fevziu: Mazhoranca mjaft e konsumuar, ka krijuar stabilitet të

Blendi Fevziu e konsideron qeverisjen e Edi Ramës, mjaft të konsumuar, por thotë se ajo vijon e pashqetësuar për shkak të dobësisë së opozitës.

Lidhur me zgjedhjet lokale, Fevziu deklaroi se mazhoranca nuk gjykohet njëlloj si në zgjedhje parlamentare pasi qytetarët vlerësojnë më shumë kandidatët sesa forcën politike.

Gazetari deklaroi në emisionin “Të Paekspozuarit”, në MCN TV, se do të jetë e vështirë dhe thuajse e pamundur që Partia Socialiste të fitojë Shkodrën, pavarësisht përpjekjeve të shumta për të arritur këtë qëllim.

“Pushteti është i konsumuar, ka krijuar një stabilitet të frikshëm për vendin, një rehati politike. Kjo mazhorancë duhet të ishte në ditë shumë të vështira, por vazhdon. Ka një mungesë të fortë të dhënies së llogarisë. Nuk ka asnjë shqetësim, ka një konsum të madh. Por, nuk jemi në zgjedhje të përgjithshme, jemi në zgjedhje lokale në të cilat nuk gjykohet shumë pushteti qendror, por kandidatët lokalë.

Zgjedhjet lokale janë ndarë prej 32 vitesh me një rregullsi midis Partisë Demokratike, që ka dominuar disa zona dhe Partisë Socialiste që ka dominuar disa të tjera. Ka patur disa zona më të ndërrueshme, si Tirana, Durrësi, Elbasani, Korça.

Pra janë zona që kanë ndërruar. Ka pasur ndryshime edhe Lezha, Kavaja në momente të caktuara. Por zona ku do të bëhet beteja është Tirana, Durrësi, Elbasani.

Për Shkodrën, më duket e vështirë që PS-ja të fitojë zgjedhjet. Në 2021, kur PS kishte kandidat të fortë në Shkodër dhe votat e PD u ndanë, prapë PD e fitoi Shkodrën”- u shpreh Fevziu.