BALLKAN, 20 Maj 2023, 15:57

Nesër zgjedhjet në Greqi, emigrantët shqiptarë bojkotojnë: Nuk do të votojmë!

Nesër zgjedhjet në Greqi, emigrantët shqiptarë

Edhe pak orë nga zgjedhjet parlamentare në Greqi, shtet në të cilin kanë emigruar shumë shqiptarë. Natyrshëm lind pyetja nëse bashkëkombësit tanë do të votojnë apo jo nesër. Disa prej tyre thanë se kanë zgjedhur të mos votojnë, pasi çdo ditë hasen me probleme sa i takon edhe dokumenteve.

“Unë jam brezi i parë e emigrantëve dhe kam ardhur më 1991, i bie pas 32 vjetësh rrojmë, punojmë dhe kemi ngritur jetën tonë në një vend, i cili na është bërë atdheu jonë. Nëse se do më pyesnit se çfarë është për ty Greqia, do të bëja krahasimin e nënës me njerkën. Pra brezi ynë është brezi që u lind në Shqipëri, nëna jonë është Shqipëria, e cila nuk na mbajti dot, nuk na rriti dot. Ndaj na u bë Greqia ajo njerka që i dha të gjitha”, u shpreh një qytetar shqiptar në Larisa për AbcNews.

“Punoj shofer këtu në Greqi dhe kam 30 vite, kam ardhur në ’98 në Greqi. I kam marrë të gjitha dokumentet. Nuk kam votuar dhe nuk dua. Problem kryesor që kanë shqiptarët këtu është puna e pensioneve dhe dokumenteve që zvarriten shumë”, tha emigranti Apostol Prifti.