TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ditën e sotme, po mbahen homazhet për ndarjen nga jeta të piktorit Sali Shijaku.
Homazhet në nder të artistit të njohur janë organizuar nga Bashkia e Tiranës dhe po zhvillohen në hollin e Teatrit të Operas dhe të Baletit nga ora 10:00-12:00.
Miqtë dhe dashamirësit, do të kenë mundësi t'i japin lamtumirën e fundit artistit.
Por kush ishte artisti Sali Shijaku?
Shijaku ishte nderuar me titullin "Piktor i Popullit" dhe "Artist i Merituar".
Ai ishte piktor kolorist dhe krijues i kompozimeve njëfigurëshe. Ai lindi në Tiranë në një familje tregtarësh të vegjël. Pasi kreu Liceun Artistik “Jordan Misja”, vazhdoi studimet e larta në Institutin e Lartë të Arteve “I.E.Rjepin” në Leningrad (sot Shën Petërburg gjatë viteve 1956-‘61).
Tabloja e njohur si "Heronjtë e Vigut" është edhe diploma e tij si student.
Shijaku ishte pjesë e artistëve shqiptarë, që trajtuan tablonë kompozicionale, kryesisht me temë nga lufta, nga historia, nga legjendat, por edhe nga aktualiteti i kohës.
Shteti shqiptar e ka vlerësuar dhe nderuar kontributin e artistit me mjaft çmime dhe i ka akorduar disa Çmime Republike (1956, 1970, 1984, 1989). Në vitin 1969 ai mori titullin “Artist i Merituar” dhe në vitin 1979 “Piktor i Popullit”.
Më 2004-ën ai u nderua me titullin “Nderi i Qarkut të Tiranës”. Në fondin e GKA-së ruhen 92 vepra të artistit në pikturë dhe skulpturë, nga të cilat 19 vizatime (penë, karbon dhe flamastër), 7 punime në qeramikë dhe 1 në allçi.
Një pjesë e koleksionit të veprave të Shijakut janë të ekspozuara në sallat kryesore të Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë.
Veprat e Sali Shijakut ndodhen në shumë vende të botës dhe sot janë pjesë e koleksioneve të koleksionistëve brenda dhe jashtë Shqipërisë.