AKTUALITET, 9 Prill 2026, 17:59

“Na ka rënë një gur i madh në shpinë”/ Rama: Veto e 9 shteteve të BE për ne është barcoletë, kështu thanë edhe për Bordin e Paqes

“Na ka rënë një gur i madh në shpinë”/

Kryeministri Edi Rama mori sot takim me Asamblenë e PS-së në Durrës, me tematikë nisjen e përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme lokale dhe diskutimin për problematika të ndryshme të situatës politike dhe ekonomike në Shqipëri.

Kreu i mazhorancës deklaroi se ata kanë në shpinë një gur të madh për integrimin e vendit në BE, por mohoi se ishte e vërtetë që 9 shtete kishin vënë veton ndaj Shqipërisë për mbylljen e negociatave. Ai i cilësoi barcaleta, teksa e cilësoi moment historik që ta ngjisin “gurin” në majën e BE-së.

“Të mos e humbim atë derë duhet të fitojmë zgjedhjet e ardhshme vendore për PS-në. Partia Socialiste duhet të jetë e vetëdijshme që fati e ka dash që të na bjerë një gur i madh mbi shpinë dhe ta ngjisim atje në majë dhe të vulosim integrimin e Shqipërisë në BE. Rrota e ka sjellë kështu dhe ne duhet ta kapim trenin e historisë me patjetër”, tha ai mes të tjerash para strukturave të partisë.

Më tej shpjegoi edhe procedurat e fazës së negociatave, diskutimeve dhe raportit IBAR në BE.

“Ata pasi i shikojnë i çojnë letrat në katin e dytë dhe i thonë këto janë letrat. Ata të katit të dytë nuk i shohin gjërat si kati i parë. Atje janë 27 shtete, njëri të thotë jo, nuk bëhet. Duhet të jenë të gjithë me një mendje. Pse duhet të jetë i rëndësishëm ky proces? Sepse të gjitha këto procese e bëjnë Shqipërinë shtet, janë ushtrim jashtëzakonisht i rëndësishëm për ne, bëhemi vend i BE. A mund të ndodhi që të ndryshojë politika në Francë dhe Gjermani? Po, mund të ndodhi. Por ne duhet të jemi gati, sepse ne jemi përfituesit”, tha Rama.

Kryeministri e quajti barcoletë pretendimin e opozitës se është bllokuar integrimi i vendit drejt BE-së, duke e krahasuar njëlloj me lajmin se Shqipërisë dhe atij vetë nuk i kishte ardhur ftesa për Bordin e Paqes nga presidenti Donald Trump.

“Kur hapëm negociatat i hapëm për 11 muaj, i hapëm sepse kishim punuar për vite me radhë. Kjo e 9 shteteve është barcaletë. Që kanë vënë veton 9 shtete, është barcaletë. Veton e vë vetëm një, të tjerat votojnë. Është kot kjo e vetos. Ata të katit të dytë vijnë dhe ulen në katin e parë dhe flasin me ne dhe të tjerët dhe pyesin. Çohet njëri dhe flet për Minoritetet, pyet, çohet tjetri pyet për diçka tjetër dhe kështu me radhë raund pyetjesh pak e nga pak derisa mbarojnë pyetjet. Besoj deri në fund prillit apo majit mbyllet kjo dhe del rezultati. Bëhet si me Bordin e Paqes, nuk ka ftesë e nuk ka ftesë, erdhi ftesa e Bordit të Paqes, pastaj thanë jo se nuk i ka ardhur atij. Pastaj historia me gocën se nuk shkova atje, ore jam me gocën e tij…”, vijoi kreu i mazhorancës.

Madje ai bëri ironi me lajmet për bllokimin e integrimit, duke u shprehur se në fund të majit do ngrihet flamuri gjerman në Shijak.

“Ja erdhi maji do ngremë flamurin gjerman në Shijak, do e ngremë këtu. Do i themi ore ka një veto aty në Shijak. Kjo e vetos është e kotë mendoj”.

Rama iu përgjigj edhe një pyetjeje që kishte të bënte me numrin e deputetëve në Parlament, duke shpjeguar se do të ishte mirë një Kuvend me 100 deputetë.

“Edhe çështjen e deputetëve në Parlament mendoj se me 100 deputetë jemi më mirë, mund të ulet numri dhe besoj se është më mirë me më pak deputetë”.