TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një vrojtim i Bankës së Shqipërisë me sipërmarrjet shqiptare tregon se pjesa dërrmuese e biznesit të vogël i shet produktet brenda vendit, ndërkohë që raporti është i ngjashëm edhe për bizneset e mesme. Situata ndryshon kur vjen fjala te biznesi i madh, që shet një pjesë të mirë të produkteve jashtë kufijve.
Bizneset e pyetua nga Banka e Shqipërisë janë shprehur se shitja e produkteve vijon të mbetet kryesisht brenda vendit, ku rreth 83% e ndërmarrjeve të vogla, 69% e ndërmarrjeve të mesme dhe 55% e ndërmarrjeve të mëdha, kanë deklaruar se kanë shitur shumicën e produkteve në tregun vendas (mbi 80% të volumit të produkteve) për gjysmën e parë të këtij viti. Krahasuar me gjashtëmujorin e mëparshëm, ka pasur një rënie prej 1.6 pikë përqindje të peshës së ndërmarrjeve të vogla dhe 2 pikë përqindje të ndërmarrjeve të mëdha që i shesin produktet e tyre kryesisht brenda vendit. Ndërkohë, që pesha e ndërmarrjeve të mesme që deklarojnë një gjë të tillë është rritur me 3.3 pikë përqindje.
Sa i përket volumit të shitjeve, gjatë gjysmës së parë të këtij viti niveli i shitjeve është rritur për ndërmarrjet e të gjitha madhësive, por disi në përkeqësim krahasuar me gjashtë muaj më parë. Të tre grupet e ndërmarrjeve kanë raportuar rritje të nivelit të shitjeve gjatë gjashtëmujorit të kaluar me balanca neto pozitive (përkatësisht 2.7%, 20% dhe 27.5%). Krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar, gjatë këtij viti, situata e shitjeve rezulton në përkeqësim për ndërmarrjet e vogla dhe të mëdha dhe pothuaj e njëjtë në rastin e ndërmarrjeve të mesme, por në përmirësim krahasuar me një vit më parë për të gjithë ndërmarrjet. Për sa i përket pritshmërive për ecurinë e mëtejshme të nivelit të shitjeve, të gjitha ndërmarrjet (pavarësisht madhësisë) shprehen mjaft optimiste për gjashtëmujorin e dytë 2023 me balanca neto pozitive dhe në rritje si krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar dhe krahasuar me një vit më parë.